E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Nuk kam arsye për mosmarrëveshje me Berishën

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, tanimë edhe ministër i Jashtëm dhe numri dy i qeverisë "Berisha" shpjegoi dje arsyet përse zgjodhi të ketë rolin e kryediplomatit dhe jo postin e kreut të Kuvendit të Shqipërisë. Në një intervistë në praninë e analistëve në emisionin "Opinion", Meta tha se ai i mbetet ende deklaratës së dorëheqjes si kryetar partie duke ia lënë në dorë vlerësimin e kësaj çështjeje, anëtarësisë së LSI. Sa i përket idesë së postit të kryeparlamentarit, më shumë tha ai, ka qenë një krijim i medias edhe pse pranoi se në të vërtetë ka pasur një bisedë me Berishën për këtë çështje. Ai tha se LSI ka si qëllim që të luajë rol të rëndësishëm në hapat e integrimit të vendit. "Ka qenë më shumë një krijim i shtypit. S‘kam pasur qëllim të caktuar për Kryetarin e Kuvendit. Ka pasur shkëmbim mendimesh. Berisha ka qenë i hapur, por ajo që dua të theksoj është se synimi është që të luajmë një rol në qeveri në raport me integrimin dhe MPJ ka rol të rëndësishëm në këtë drejtim", tha ai. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm shpjegoi se nuk ka asnjë problem që tanimë është ulur në një tryezë më Sali Berishën dhe është zëvendës i tij, ndërsa kthimi në ministri është kthim në shtëpinë e tij. "S‘kam pasur asnjë shqetësim as kur isha zëvendës i Majkos, kam qenë në MPJ edhe si sekretar shteti. E rëndësishme është të bashkëpunosh dhe nuk shoh arsye për mosmarrëveshje. Jam ndier shumë mirë kur hyra në ministri, por duhet të them se kam qenë gjatë këtyre viteve te zyra e ministrit të Jashtëm edhe kur ishte Mustafaj edhe kur ishte Basha", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›