Meta: Opozita të bashkohet për integrimin dhe vizat
Duke folur për bojkotin e opozitës, Meta ka deklaruar se shpresonte që të kishte një reflektim nga ana e lidershipit të PS-së, “pasi kontributi që kjo forcë politike dhe opozita mund të jap për integrimin e vendit nuk është në rrugë sepse është thënë më shumë sesa një herë nga BE”. “Mendoj që opozita duhet të bëjë detyrën e saj dhe duhet të jetë vërtetë një forcë që punon për modernizmin e institucioneve, një forcë që konkuron me mazhorancën përmes inciativave legjislative më të mira. Por po të jetë për të sharë, kjo është një e drejtë e tyre për të sharë dhe për të nxirë gjithë ditën. Por nuk mendoj se do t’i vlerësojë dikush për këtë”, u shpreh Meta. Ai tha më tej, se Qeveria është e palëkundur në vullnetin e saj për dialog me opozitën dhe me gjithë grupet e tjerë të interesit në vend. Një temë tjetër e diskutimit ishte edhe procesi i liberalizimit të vizave, ku Meta ka siguruar se liberalizim do të bëhet në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm. Edhe në këtë rast, shefi i diplomacisë shqiptare tha se është e nevojshme që të gjithë, përfshirë edhe opozitën të kontribuojnë në këtë proces me rëndësi për vendin.