E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Organet e ligjit të zbardhin ngjarjen

20/08/2010 Ilir Meta dhe Sabri Godo analizojnë incidentin që ndodhi në Himarë

Qeveria shqiptare beson se incidenti i ndodhur pak ditë më parë në Himarë, do të zbardhet nga institucionet e drejtësisë vendase. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka deklaruar ditën e djeshme se gjithçka është në dorën e organeve kompetente. “Unë besoj se Prokuroria dhe organet e ligjit do ta zbardhin atë krim të shëmtuar dhe njëkohësisht do të vendosin autorët para përgjegjësisë në maksimumin që jep ligji”, - ka theksuar numri dy i qeverisë në një konferencë për shtyp. Ai nuk ka dashur të komentojë shndërrimin e këtij incidenti në një çështje, e cila është trajtuar me sfond etnik nga Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut dhe shoqata “Omonia”. Shefi i diplomacisë shqiptare përmes qëndrimit të tij të prerë ka nënvizuar faktin se kjo çështje duhet të zgjidhet thjesht dhe vetëm nga organet e drejtësisë.

Ndërkohë trajtimi i kësaj çështjeje nga partia dhe shoqata që mbron të interesat e minoritetit grek në Shqipëri, në këndvështrimin e Presidentit të Nderit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Sabri Godo, është një skemë e përgatitur më parë. Në një intervistë televizive Godo shprehet me tone të ashpra ndaj drejtuesve të minoritetit grek. Sipas tij, qëndrimet e kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule dhe kreut të “Omonia”-s Vasil Bollano, teken të tregojnë se çdo ortodoks shqiptar është minoritar, çka nuk është absolutisht e vërtetë. “Kemi parë një skemë të përgatitur me kohë me synimin final për shpalljen e autonomisë së Himarës dhe autonomi qeverisje për të. Këto janë deklarata që janë bërë me kohë nga Bollano dhe të tjerët. Pritej vetëm një incident. Nuk kemi pasur ndonjë problem për të zgjidhur këtë çështje mes nesh. Të gjitha këto janë me nxitje dhe me ndërhyrje nga jashtë. Del PDBNJ e Dules dhe bën thirrje ekstreme për polici minoritare në Himarë”, - komentoi ai. Ai shprehet kritik edhe ndaj reagimit të strukturave shtetërore ndaj bllokimit të rrugës, pas ngjarjes. Sipas tij, mënyra që u protestua tregoi paaftësinë e të tretit për të reaguar. “Shteti shqiptar duhet të tregojë se ekziston si shtet dhe duhet ta nisë punën me procedimin e atyre që bllokuan rrugën. Ndërhyrje në Himarë pas 13 orësh bllokim rruge do të thotë se kemi një shtet që toleron atje ku nuk duhet dhe kjo duhet të marrë fund. Duhet ta dijë mirë çdo shqiptar se po bllokove rrugën, pas një ore shkon në burg”, - tha Godo. Në analizën e tij, Godo vlerëson se çdokush ka të drejtën të flasë gjuhën që dëshiron, dhe se mes shqiptareve dhe grekëve nuk ka racizëm, por ekzistojnë mekanizma dhe grupime që duan të shfrytëzojnë ksenofobinë për arsyet e tyre.

Athina zyrtare

Ministri i Jashtëm grek Dimitris Droutsas ka deklaruar se segmente të caktuara në Shqipëri po përpiqen të politizojnë ngjarjen e Himarës për të krijuar tensione dhe trazira. “Më lejoni të mos ndaj të njëjtin mendim me ata që janë duke i përdorur fenomene të tilla, që edhe njëherë e ritheksoj se janë krejtësisht të dënueshme, si pretekste për të nxitur trazira, për tu keqpërdorur nga disa individë apo për të abuzuar me fenomene të tilla dhe për të na krijuar probleme këtu në Greqi, që askush nuk dëshiron të ndodhin”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›