E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PD hakmarrje primitive ndaj LSI

Gazeta Shqip

ilir metaKreu i LSI-së premton kthimin në punë të anëtarëve të shkarkuar të kësaj partie pas 23 qershorit

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ngriti tonet dje nga Fieri ndaj ish-aleatit të tij për katër vjet, kryeministrit Sali Berisha. Gjatë një tubimi elektoral në këtë qytet të rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme, Meta e konsideroi hakmarrje politike primitive, kërkesën e Partisë Demokratike për të shkarkuar anëtarin e LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe po kështu shkarkimet në administratë të përfaqësuesve të kësaj force politike. Për sa i përket çështjes së parë, Meta theksoi se ngulmi i PD-së për të larguar nga KQZ anëtarin e kësaj force politike është në kundërshtim të plotë me Kodin Zgjedhor dhe antikushtetues. Sipas Metës, mazhoranca duhet të tërhiqet nga vendimi i marrë sepse po cenonte zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, të cilat kishin rëndësi të madhe për vendin dhe procesin integrues që ai kishte nisur. Nga ana tjetër, Meta përdori tone të ashpra ndaj shkarkimeve në masë që PD ka ndërmarrë në administratë, nisur nga largimi i LSI-së nga koalicioni qeveritar. Sipas Metës, PD po hakmerret përmes këtyre shkarkimeve në mënyrë të padrejtë. Por kreu i LSI-së qetësoi të gjithë mbështetësit e tij, duke premtuar se të gjithë të larguarit nga puna do të ktheheshin përsëri në administratë pas 23 qershorit. Meta theksoi se bashkimi i LSI-së me PS-në sjell siguri të plotë për rotacion politik pas 23 qershorit. Në këtë kuadër, ai theksoi se rotacioni në këto momente është jo vetëm i pashmangshëm, por edhe i domosdoshëm. Ilir Meta gjithashtu u ka sqaruar mbështetësve të LSI-së në qytetin e Fierit se aleanca me PS-në ishte natyrale dhe e nevojshme në këtë fazë të zhvillimit të vendit.

Vasili

Meta prezantoi në Fier Petrit Vasilin si kreun e fushatës së kësaj partie në këtë qark. Kjo do të thotë se Vasili do të jetë gjithashtu dhe kandidati kryesor i LSI-së në Fier

Meta: PD hakmarrje primitive ndaj LSI burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›