Meta: Përjashtoj çdo koalicion paszgjedhor me Berishën
Pak ditë më parë, në një intervistë për një agjenci austriake, kryeministri Sali Berisha i la të hapura mundësitë për koalicion me Ilir Metën pas zgjedhjeve.
Por kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim i ka kthyer përgjigje nga Berati, ku mori pjesë në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale.
Meta tha se përjashton çdo koalicion paszgjedhor me Berishën dhe PD-në.
Dje kryeministri që po ikën, deklaroi se nuk përjashtonte koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Unë si djali juaj në radhë të parë dua ti jap një përgjigje këtu nga Berati që Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta përjashtojmë çdo mundësi koalicioni me një qeveri, dhe një kryeministër që tentoi të vërë dorë përsëri pas 23 vjetësh mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbi të drejtën e shqiptarëve për të votuar në mënyrë të lirë dhe demokratike, të një njeriu që i pati të gjitha mundësitë që të largohet me dinjitet dhe ta pranojë humbjen me dinjitet. Ne jemi të përcaktuar me Aleancën për Shqipërinë Evropiane.
Berisha do ikë të dielën si kryeministër njëherë e përgjithmonë, sepse po të presë Berati premtimin e Berishës për Boshtin e Jugut do ti duhet të presë dhe nja 2400 vjet të tjera sepse ai për 8 vjet as rrugën e vjetër Lushnje- Berat nuk e rikonstruktoi. As gropën e rrugës që lidh Lushnjën me Beratin, veçse filloi të hedhë asfalt 3 javë më parë këtu në qytetin e Beratit. Ne do fitojmë, se Boshti i Jugut duhet bërë tani dhe jo të shtyhet. Ne do fitojmë se ky qytet i jashtëzakonshëm kërkon zhvillim, frymëmarrje dhe ne do bëjmë unazën e Beratit brenda 2 viteve të para, tha Meta./ep
