TemA TV/ Berisha: 44-a është numër fati se kam lindur në 44-ën, 29-a është numër dështimi (VIDEO)
Një ditë përpara se të mbyllet fushata elektorale, kryeministri Sali Berisha ishte në Kavajë dhe në Durrës, ku mbajti dy nga fjalimet më të shkurtra që ka mbajtur ndonjëherë.
Në Kavajë foli shumë shpejt dhe u largua me shpejtësi nga sheshi. Aty premtoi se Kavaja do të lidhet me Tiranën me autostradën e saj.
Fitorja e 23 qershorit do të jetë fitorja e punësimit masiv të qytetarëve të Kavajës dhe mbarë Shqipërisë. Kjo fitore hap dyert për krijimin e 250 mijë vendeve pune për punësimin e vajzave dhe djemve të Kavajës edhe të mbarë Shqipërisë. Fitorja hap dyert për dyfishimin e turizmit në Kavajë dhe shfrytëzimin e të gjitha potencialeve turistike mahnitëse dhe të mrekullueshme të saj, për ndërtimin e resorteve të mëdha që do ta bëjnë Kavajën turistike të famshme në Evropë dhe në botë. Katër vitet që vijnë do të jenë vite në të cilat Kavaja, fermerë e saj do të njohin mbështetjen më të fuqishme, trefishimin e granteve, pensioni minimal 150 dollarë, pagesën me para në dorë të TVSH-së për çdo gjë që ata përdorin për prodhim. Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e lidhjes direkt të Kavajës me Tiranën, me autostradën e saj; do të jenë vitet në të cilat Kavaja do të kapë nivelet më të larta të zhvillimit, tha Berisha.
Kurse në Durrës, me një shesh të mbushur me pak njerëz, Berisha nisi të bënte fallxhorin, pasi nuk i ka mbetur më gjë tjetër.
Vota juaj më 23 qershor do të jetë votë për marrjen e statusit të vendit kandidat, brenda muajve që vijnë do bëjmë të mundur thithjen e qindra milionë eurove investime, për punësimin e shqiptarëve, për ndërtimin e infrastrukturës më moderne.
Për ju dhe gjithë shqiptarët dua tju pohoj këtu sonte se unë gjithë jetën jam përpjekur, por kam pasur dhe fat dhe fati im i madh është 44, se linda në vitin 44. Askush nuk do zhgënjehet. 44 është numri i fatit, është numri i lirisë së shqiptarëve. Lexoni pak për 29-ën, është dështimi, është Edi Rama. Kujdes prej atij numri, nuk sjell fat, nuk ka mbarësi, ka dështim, tha Berisha./ep