Meta: Prokuroria, po vepron si celulë partiake

Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë, e cila ka pranuar kërkesën për kryerjen e ekspertizës së video-përgjimit. Në një konferencë të posaçme për shtyp, Meta ka hedhur akuza të ashpra në emër të Prokurorisë, duke e cilësuar organin e akuzës si celulë politike.
Ai theksoi gjithashtu se Prokurorisë i është ndaluar të thoshte të vërtetën për këtë çështje, dhe se akuzat ndaj tij janë bërë për arsye elektorale. Në këtë konferencë, Meta ka përshëndetur vendimet e Gjykatës së Lartë, që krijon mundësi për gjykimin në themel të çështjes në fjalë dhe krijon mundësinë për transparencë të plotë dhe maksimale të të gjithë këtij procesi.
“Prokuroria nuk është përballur me këtë çështje, por ka vepruar në mënyrë ekstremiste për të dëmtuar personin tim dhe forcën politike, që unë drejtoj vetëm për arsye personale. Dje u konfirmua se të gjitha ekspertizat e bëra nga ana e Prokurorisë, janë të pavlefshme sepse janë të paligjshme”, u shpreh Meta. Në këtë drejtim ai përmendi 3 ekspertizat e kryera nga Prokuroria, duke shtuar se është shkelur ligji dhe kodi i Procedurës Penale, duke dëmtuar në mënyrë të qëllimshme një proces, ku Prokuroria kishte për detyrë të zbatonte ligjin dhe të zbardhte të vërtetën.
“Kjo tregon se kërkesa e Prokuroisë për heqjen e imunitetit tim, është bazuar në një ekspertizë të paligjshme dhe të pavlefshme. Kjo tregon se Prokuroria, që kërkon rritje të buxhetit të saj në Kuvend, ka shpërdoruar disa dhjetëra mijëra dollarë, për ekspertiza qëllimisht të paligjshme dhe të pavlefshme”, nënvizoi ish ministri i Jashtëm.
Po ashtu Meta, informoi se Prokuroria ka kryer disa vepra penale ndaj personit të tij dhe ai do të shfrytëzoj të gjithë legjislacionin shqiptar dhe evropian për të fituar të drejtat në emër të qytetarëve shqiptarë. Gjithashtu ish zv.kryeministri kërkoi reformë serioze për Prokurorinë e Shtetit.