E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Protestat e opozitës janë absurde

Në një konferencë pasditen e djeshme, Meta tha gjithsesi se këto protesta tregojnë funksionimin e demokracisë në vend. 

“Sipas mendimit tim, protesta është absolutisht absurde, sepse nëse ka disa probleme me zgjedhjet e 28 Qershorit, në radhë të parë është përgjegjësi kryesore e kryetarit aktual të Partisë Socialiste, i cili ka diktuar kodin zgjedhor dhe reformën elektorale, dhe madje edhe proçesin e administrimit të zgjedhjeve. Pra, më duket plotësisht paradoksale. Unë mendoj se vendi i tyre është në parlament, pavarësisht se është një e drejtë e tyre të protestojnë”, tha Meta nga selia e Ministrisë së Jashtme.

Ai ka përshëndetur vendimin e sipas tij konstruktiv të Kryeministrit Berisha për t’u dhënë shumicën në komisionin hetimor, pavarësisht se kjo sigurisht nuk do të ishte normale, sepse opozita ka pakicën.  “Ndërsa reagimet destruktive, janë në dorën e cilitdo, por jam i bindur që kjo nuk do të cenojë normalitetin e vendit apo të qeverisjes. Përkundrazi, Shqipëria ka vetëm një axhendë, që është axhenda e reformave, e integrimit evropian. Kush dëshiron që krizën e tij t’a kthejë në një krizë për të gjithë vendin, e ka shumë gabim, sepse do të mbetet i izoluar”, tha më tej zëvendëskryeministri.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›