E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rama më ofroi postin e kryeministrit

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaron se ka pasur ofertë nga kryesocialisti Edi Rama për t'u bërë kryeministër. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës, Meta ka thënë se ka kundërshtuar këtë ofertë pasi kishte në thelb të saj blerjen e deputetëve të djathtë nga ana e Partisë Socialiste. Z.Meta thekson ndërkaq se nuk mund të pranonte të ishte kryeministër i një qeverie me deputetë të blerë dhe kjo është arsyja që ka kundërshtuar propozimin e kreut të Partisë Socialiste. Ai shton se ky propozim i ka ardhur nëse dy koalicionet përkatësisht koalicioni i majtë i kryesuar nga Partia Socialiste dhe koalicioni i kryesuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim do të mund të merrnin 70 mandate për në Kuvendin e Shqipërisë. Meta deklaroi se kundërshtimi për këtë propozim ka ardhur pikërisht për arsye parimore. Ai gjithashtu shprehet i bindur se koalicioni me Partinë Demokratike do të funksionojë. Ndërsa garantoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të luajë rolin e mbrojtës të interesave të së majtës shqiptare. Ilir meta deklaroi se është i gatshëm të bashkëpunojë me kryeministrin Berisha në mënyrë që të shmangë zgjedhjet e parakohshme dhe sepse kjo është zgjidhja më e mirë për interesat integruese të vendit. Ndërsa kryesocialisti Edi Rama e cilësoi vendimin e LSI-së për të bashkëpunaur me Partinë Demokratike si patericën e kryeministrit Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›