Meta: Rama përdori në mënyrë korruptive McGonigal kundër opozitës! Deputetët të mos sillen si kukulla

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kërkon hetimin e lidhjes së ish-zyrtarit të lartë të arrestuar të FBI-së, me kryeministrin Edi Rama, dhe përdorimin e paligjshëm dhe korruptiv të Charles McGonigal nga kreu i qeverisë, kundër opozitës. Sipas Metës, hetimi i kësaj çështje nga SHBA është shumë i rëndësishëm për zbardhjen e kësaj ngjarje të cilën ai e konsideron si shumë të rëndë.
Kreu i Partisë së Lirisë thekson se kryeministri Rama ka joshur dhe korruptuar zyrtarë të lartë të huaj për të porositur investigime ndaj kundërshtarëve politik, me qëllim siç thotë ai, të shkatërrimit të pluralizmit politik dhe instalimit të narkoshtetit dhe kleptokracisë.
“Përdorimi i McGonigal në mënyrë të paligjshme dhe korruptive nga Edi Rama në postin e Kryeministrit të Shqipërisë kundër opozitës dhe kundërshtarëve të tij politikë është shumë flagrant. Ndaj hetimi i kësaj çështje nga SHBA është shumë i rëndësishëm për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.
Edhe më i domosdoshëm është hetimi i veprimeve antikushtetuese, të paligjshme dhe mafioze nga Edi Rama, i cili e përdhosi zyrën e Kryeministrit duke joshur e korruptuar zyrtarë të lartë të huaj për të porositur investigime ndaj kundërshtarëve politikë me qëllim shkatërrimin e pluralizmit politik dhe instalimin e plotë të narkoshtetit dhe kleptokracisë.
Edi Rama nuk është vetëm në konflikt interesi me detyrën e Kryeministrit por ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit duke shfrytëzuar postin e Kryeministrit dhe përdorur korrupsionin ndaj zyrtarëve të huaj për të minuar demokracinë dhe pluralizmin politik në vend”, shkruan Meta në rrjetin social Facebook.
Kreu i Partisë së Lirisë u ka bërë thirrje deputetëve që të shpëtojnë dinjitetin e tyre dhe të mos sillen më si kukulla për të mbuluar skandalet e Edi Ramës.
“Bllokimi i komisionit hetimor parlamentar është një përpjekje e pashpresë për të relativizuar këtë komplot të tij kundër demokracisë dhe pluralizmit politik. U bëj thirrje deputetëve të mos sillen më si kukulla për të mbuluar skandalet e Edi Ramës por të shpëtojnë dinjitetin e tyre duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Asgjë nuk do ta ndalë zbardhjen e “Ramagate” në vendin tonë dhe vendosjen para ligjit të kësaj bande manipulatorësh! Ja dhe zyrtarët “antikorrupsion” që u kthyen në ortakë të regjimit më të korruptuar në Europë dhe u përdorën kundër opozitës dhe demokracisë në Shqipëri!”, shkruan Meta.
/rtsh.al/