Meta: Shqipëria prodhon sot më pak qumësht se çdo vend tjetër në Evropë

Mungesa e mbështetjes financiare për blegtorinë, ka qenë në qendër të kritikave të kryetarit të PL-së, Ilir Meta, ndaj politikave të qeverisë për bujqësinë. Sipas tij, mohimi i mbështetjes për fermat blegtorale, ka bërë që sektori blegtoral vendas të mos mbulojë dot kostot e prodhimit, dhe, për rrjedhim, “Shqipëria prodhon sot më pak qumësht se çdo vend tjetër në Evropë”.
Meta nënvizon se kjo është një ndër arsyet se përse numri i krerëve të bagëtive brenda një pesëvjeçari është thuajse përgjysmuar, si dhe vazhdon uljen e pandalshme.
“Vetëm 41 litra qumësht nga bagëtitë për banorë, ndërkohë që në Evropë kjo sasi shkon deri në 1900 litra qumësht për banorë. Kjo ulje e jashtëzakonshme e prodhimit vendas të qumështit, ka çuar në rritje me 70% të çmimeve të bulmetit për konsumatorin, në krahasim me një vit më parë. Qumështi ynë sot u shitet qytetarëve më të varfër të kontinentit, 30% më shtrenjtë se sa fqinjët dhe Evropa.”- shkruan Meta në rrjetin e tij social, Facebook.
Sipas tij, fermerët dhe blegtorët duhet të dinë se shfarosja e programuar e bagëtive të vendit është ftesë për braktisje dhe largim të tyre.
“Zbrazja e vendit është e lidhur në veçanti me falimentimin e qëllimtë të Bujqësisë dhe të Blegtorisë. Ndaj 14 Maji është vendimtar për Ndryshimin dhe ndalimin e shpopullimit!”- shkruan Meta.
/rtsh.al/