E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Komisioni hetimor Rama-McGonigal, PS: Opozita fallsifikoi firmat e deputetëve të saj, do ketë verifikim

Kërkesa e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar marrëdhënien e kryeministrit Rama me ish- zyrtarin e lartë të FBI-së, McGonigal, pritet të marrë një drejtim të pakëndshëm për opozitën.

Kryetarja e Komisionit të ligjeve, Klotilda Bushka, e cila drejton dhe Komisionin e Etikës Parlamentare, deklaroi për emisionin “Pa Censurë” në RTSH se PS do të verifikojë firmat e deputetëve të opozitës për ngritjen e komisionit hetimor, pas dyshimeve të arsyeshme për fallsfikim të disa prej tyre.

“Sa i takon komisionit hetimor për çështjen McGonigal, ne nuk kemi marrë një vendim. Arsyeja pse nuk kemi ecur me trajtimin e kërkesës nuk ka qenë vetëm çështja në diskutim e ndryshimit të ligjit për komisionet hetimore. Ajo kërkesë mbart dyshimin se nënshkrimet e kolegëve  kërkues nuk janë të vërteta. Mendohet se 3 deputetë të opozitës kanë firmosur kur nuk kanë  qenë në Shqipëri në kohën e dorëzimit të kërkesës. Komisionini Etikës është vënë në lëvizje nga kryetarja e grupit socialist për një verifikim të këtij rasti. Ata janë Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj. Do të doja të mos ishte kështu, por do të çojmë deri në fund, sepse kjo ka të bëjë edhe me integritetin e veprimtarisë së Kuvendit. Do të therresim dhe kolegët për të marrë mendimin e tyre në lidhje me këtë çështje.- pohoi për emisionin “Pa Censurë”, kryetarja e Komisionit të Etikës në Parlament.

Zonja Bushka, e cila theksoi rrugën parlamentare që duhet të ndjekë kërkesa për komisionin hetimor, nuk e komentoi deklaratën e kryeministrit, sipas të cilit, komisioni i kërkuar nga opozita nuk do të lejohet të ngrihet.

“Nuk e kam dëgjuar kryeministrin. Ju thashë se në cilën pikë jemi, por në vleresimin tim që në titull dhe në përmbajtje kërkesa është totalisht e paragjykuar dhe sa i takon rregullave të Kuvendit, nuk ka asgjë të përputhshme”- u shpreh zonja Bushka, duke shkuar drejt linjës së kryeministrit për ta refuzuar komisionin hetimor përmes të cilit opozita kërkon të provojë atë që e quan lidhje korruptive të kryeministrit me ish- kreun e kundërzbulimit të FBI-së për Nju Jorkun, Charles McGonigal.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›