E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Prifti, pushime luksi kur Shkodra u përmbyt

Partia Socialiste denoncoi dje indiferencën e ministrit të Energjetikës, në kohën kur përmbytej zona e Shkodrës. Deputeti socialist, Taulant Balla, publikoi dje një biletë avioni të ministrit, i cili ka udhëtuar për në Turqi nga data 30 dhjetor deri më 3 janar, në një kohë kur Shkodra ishte përmbytur tashmë.
“Dritan Prifti, ministri i Energjetikës, dy ditë pasi kishte filluar përmbytja e paramenduar, më datë 30 dhjetor është larguar nga Shqipëria për të pushuar në një hotel luksi në Turqi. Po ju paraqesim detajet e fluturimit të ministrit përgjegjës për katastrofën. Dritan Prifti është rikthyer në Shqipëri vetëm më datë 3 janar, kur tashmë Shkodra ishte zhytur nën ujë, jetët e banorëve ishin vënë në rrezik, ndërsa pronat ishin shkatërruar plotësisht”, tha Balla. Sipas tij, kjo është prova më e qartë se kjo qeveri është e papërgjegjshme dhe me papërgjegjshmërinë e saj ka shkaktuar katastrofën që përmbyti Veriun e vendit, që rrezikoi jetët e mijëra shkodranëve dhe la mijëra familje pa shtëpi, pa pronë, pa bagëti, pa të nesërme. “Fundjava e tmerrit për shkodranët, ishte fundjava e luksit për Dritan Priftin. Sali Berisha ka qenë në dijeni të plotë të këtij informacioni.
Kjo është arsyeja pse ai e mbron Dritan Priftin, në vend që ta shkarkojë atë. Për këtë arsye, përgjegjësia për përmbytjen e Shkodrës është përgjegjësi e Sali Berishës”, vijoi Balla.
Sipas tij, përmbytjet në këto zona kanë filluar në datat 27 dhe 28 dhjetor dhe duke iu referuar deklaratës së drejtorit të KESH-it, hapja e portave është bërë pikërisht më datë 27 dhjetor, ndërsa ministri është e larguar për në Turqi në 30 dhjetor.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›