E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Tadiç bisedë kokë më kokë për rajonin

12/03/2010 Ministri i Jashtëm Ilir Meta nis vizitën zyrtare në Beograd

Takime të veçanta me Presidentin Tadiç dhe homologun Jeremiç

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka shprehur dje në Beograd vullnetin e Qeverisë shqiptare për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunim ekonomik. Gjatë ditës së parë të vizitës zyrtare në kryeqytetin serb Beograd, numri dy i Qeverisë shqiptare është pritur në takime të veçanta nga Presidenti Boris Tadiç, ministri i Jashtëm Vuk Drashkoviçi, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të kabinetit qeveritar serb. Gjatë këtyre takimeve, bëhet e ditur se temë e diskutimeve ka qenë situata aktuale e marrëdhënieve mes vendeve dhe përmirësimi i tyre me interes reciprok. Në qendër të diskutimeve kanë qenë bashkëpunimi rajonal dhe ndёrkombёtar mes Shqipërisë dhe Serbisë. Para nisjes së takimeve me kreun e shtetit serb dhe ministra të kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, gjatë qëndrimit në Beograd ka zhvilluar homazhe në varrin e ish-kryeministrit serb Zoran Xhinxhiç. Shefi i diplomacisë shqiptare ka vlerësuar figurën e ish-kryeministrit Xhinxhiç, si simbol të forcave progresiste serbe. “Falë vizionit të Xhinxhiç, Serbia ka përparuar. Falë kurajës së Xhinxhiç, Serbia ka arritur tashmë në një nivel të ri të integrimit evropian”, ka thënë ministri shqiptar i Punëve të Jashtme. Të pranishëm gjatë homazheve kanë qenë bashkëshortja e ish-kryeministrit serb dhe bashkëshortja e zëvendëskryeministrit shqiptar, Monika Kryemadhi. Vizita zyrtare e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Meta në Beograd, sipas zyrës së shtypit të MPJ-së, është një tregues i qartë i prioritetit që politika e jashtme e Shqipërisë i jep zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve me vendet e rajonit, në kuadër të përshpejtimit të perspektivës evropiane për vendet tona. Gjatë qëndrimit në Beograd, Meta është takuar edhe me zëvendëskryeministrin pёr Integrimin Evropian Bozhidar Gjeliç, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Brendshёm Ivica Daçiç.

Në ditën e dytë të vizitës në Republikën e Serbisë, numri dy i Qeverisë shqiptare, njëherësh shef i diplomacisë, do të zhvillojë një vizitë në Luginën e Preshevës, kur jetojnë shqiptarë. Gjatë kësaj vizite, Meta do të takohet me shqiptarë, me të cilët pritet të diskutojë mbi gjendjen e tyre atje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›