Meta: Të vazhdojmë reformat, në fokus punësimi
Kryetari i LSI-së në konferencën e të zgjedhurve vendorë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në konferencën e të zgjedhurve vendorë duke vlerësuar punën e disa prej të zgjedhurve vendorë e ka vënë theksin tek decentralizimi i pushtetit vendor dhe kërkoi prej tyre që të nxisin punësimin.
“Ne jemi për reformat ë vërteta dhe jo për reforma në letra. Kur unë kam bërë reformën e decentralizimit e kam bërë me bindje të plotë por pas 12 vjetësh shohim që kjo reformë po bllokohet dhe këtë e kanë përjetuar më tepër kryetarët e bashkive dhe komunave që janë në vështirësi për të realizuar edhe shërbime më jetike dhe më esenciale për komunitetin. LSI-ja nëpërmjet edhe dy ministrave të cilët ndodhen në qeveri duhet të mbështesë më fort ecurinë e decentralizimit të pushtetit vendor”- tha Meta.
Përsa i përket punësimit kreu i LSI-së tha se është një çështje që i takon edhe të zgjedhurve vendorë, duke mbështetur investitorët, të cilët bëjnë të mundur edhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Gjatë fjalës së tij, Meta ngriti shqetësimin për gjendjen e rrugës Lushnjë-Berat e cila ka ndikuar edhe në uljen e numrit të turistëve në qytetin muze. “Në këtë qytet ka rënë numri i vizitorëve, në një kohë që në të gjithë vendin është rritur. Në rast se ecet me idenë se në Berat i kemi dy deputetë të sigurt ndaj edhe nëse s’bëjmë investine ka pak rëndësi, unë mendoj që ky është diskriminim, dhe ne jemi kundër diskriminimit”- theksoi kreu i LSI, Ilir Meta.