E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta U ndame me PD si xhentelmen LSI kerkon te sjelle nje politike europiane

Lëvizja Socialiste për Integrim e përqendroi sot fushatën e saj elektorale në një takim me emigrantë në Athinë. Kreu i kësaj partie, Ilir Meta theksoi me forcë vizionin e LSI-së si një forcë politike që ka si qëllim Shqipërinë evropiane.
Gjithashtu, Meta u ndal dhe në ish aleancën me PD dhe zhvillimet që erdhën pas përfundimit të kësja marrëveshje.
“LSI ka qenë dhe do të jetë një avokate e vendosur për emigrantët shqiptarë në vendet ku ata punojnë. Para katër vitesh ne morëm një vendim të vështirë për të krijuar një koalicion të panatyrshëm por të diktuar nga zgjedhjet e vitit 2009 dhe rrethanat historike. LSI tregoi dhe ka treguar se është një forcë politike e cila sjell gjithmonë risi në emër të emancipimit të politikës shqiptare, të një kulture të re europiane. Nuk ishin të paktë ata që u hapitën për shkak të vendimit të LSI për të konfirmuar përfundimin e marrëveshjes me PD dhe për të vendosur një koalicion parazgjedhor me PS dhe opozitën në tërësi. Përsëri LSI solli një risi në politikën shqiptare, sepse ne u ndamë si xhentëlmen me PD-në, pa rënë viktimë e përvojave joqytetare ku ndarjet bëhen me zhurmë, me sherre dha akuza”, vuri në dukje kreu i LSI-së. 

Ndoshta nisur nga fakti se LSI drejtoi për katër vjet dikasterin e ekonomisë, Ilir Meta u ndal gjatë në sfidat ekonomike të vendit, duke përsëritur edhe njëherë thirrjen e tij që emigrantët të bëhen bashkëaksionerë.
Meta theksoi se eksperienca dhe kapacitetet menaxhuese qe emigrantët kanë fituar gjatë viteve të shumta të mërgimit të tyre mund të vihen me eficencë në shërbim të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë.
Ai premtoi paketa fiskale inkurajuse për emigrantët që investojnë në Shqipëri, si dhe kredi me 3% interes për ata që vendosin të kthehen dhe të hapin një biznes të ri.
Vëmendjes së kryetarit të LSI nuk i kanë shpëtuar as problemet konkrete të emigracionit shqiptar në Greqi, dhe ka premtuar nënshkrimin e një marrëveshjeje për sigurimet shoqërore, mbështetjen e shkollave shqipe në Greqi nëpërmjet një zëri të posaçëm në buxhetin e ministrisë së arsimit, si dhe zgjidhjen e problemit të njohjes së patentave shqiptare në Greqi.Ilir Meta ka premtuar një faqe të re në marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, duke theksuar që interesat strategjike të së ardhmes duhet të prevalojnë mbi problemet e trashëguara nga e kaluara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›