Meta: Vizita e Fyles, mundësi e artë për të marrë statusin para zgjedhjeve

Kreu i LSI fton opozitën të votojë tre ligjet e integrimit
Disa ditë përpara “vizitës vendimtare” të Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fyle, kreu i LSI Ilir Meta ka apeluar forcat politike, në mënyrë të veçantë dy partitë kryesore që mos të humbin këtë mundësi të dhënë nga KE. Në një konferencë për mediat kreu i LSI Meta theksoi se kjo është një mundësi e mirë që duhet të miradministrohet nga politika, pasi rrit mundësinë e marrjes së statusit para zgjedhjeve. Për ne është e rëndësishme të arrihet konsensus, të miratohen tre aktet dhe KE të ketë mundësinë të bëjë avokatinë e Shqipërisë në KiE. “Do të doja të vlerësoja lajmin më të fundit që ka të bëjë me vizitën e pritshme në ditët në vijim të Komisionerit për Zgjerimin, z. Stefan Fyle, si një mundësi të artë për politikën shqiptare për të bashkuar të gjitha energjitë dhe përpjekjet për të kaluar këtë moment stanjacioni lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në radhë të parë me miratimin e dy ligjeve dhe të rregullores për procedurat parlamentare, të cilat presin prej kohësh në Kuvend për tu miratuar dhe që përbëjnë minimumin jetik në mënyrë që komisioni të bëjë përsëri përpjekjet e tij për të favorizuar dhënien e statusit të vendit kandidat nga ana e Këshillit të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Kjo është një mundësi e cila duhet të miradministrohet nga ana e politikës shqiptare, sidomos e dy forcave kryesore parlamentare, sepse e rrit në maksimum mundësinë e marrjes së statusit përpara zgjedhjeve të 23 qershorit, gjë që është në interes të të gjithë vendit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. LSI, me këtë rast, përforcon apelin e saj për dialog, për fleksibilitet dhe për ndërtimin e atyre urave bashkëpunuese që bëjnë të mundur që këto tre akte të mir atohen dhe që statusi i vendit kandidat të mund të sigurohet përpara zgjedhjeve të 23 qershori.Për ne është e rëndësishme të arrihet një konsensus në radhë të parë midis dy forcave aktuale kryesore parlamentare, të miratohen këto tre akte dhe komisioni të ketë të gjithë mundësitë që të bëjë avokatinë e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat”, theksoi ai. I pyetur rreth aleancave të reja kreu i LSI, Meta vuri në dukje se Lëvizja Socialiste për Integrim respekton marrëveshjen aktuale me Partinë Demokratike, dhe se ka bërë të ditur se për koalicionet e ardhshme elektorale ai do të prononcohet në kohën e duhur në Konventa Kombëtare e LSI-së si organi më i lartë dhe suprem i saj. “Ndërkohë që kam theksuar edhe më parë se ne do të punojmë për të ndihmuar në moderimin dhe rritjen e konstruktivitetit në të gjithë jetën politike dhe njëkohësisht edhe për ç’tensionimin maksimal edhe të situatës paraelektorale dhe elektorale. Kjo është në interes të vendit dhe të realizimit të zgjedhjeve me standardet më të larta në 23 qershor”, vijoi Meta. Ndërsa në lidhje me vendimin e ministrisë së Jashtme për të shpallur person “Non-grata” deputetin e Agimit të Artë në Greqi, Kristos Papas, kreu i LSI nënvizoi se, “Iniciativa e bërë publike edhe nga media mendoj se ka qenë e paevitueshme për shkak sepse përfaqësuesi i partisë neonaziste greke ka cenuar në mënyrë flagrante sovranitetin e Shqipërisë dhe njëkohësish ka injoruar ekzistencën e saj. Mendoj se ky qëndrim do të mbështetet nga e gjithë politika greke, nga i gjithë opinioni publik atje dhe ne besojmë që edhe Greqia dëshiron të zhvillojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë si një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe i NATO-s që është”. Në fund të konferencës, Ilir Meta është shprehur dakord me me iniciativën më të fundit të kryeministrit Berisha për përjashtimin nga tatimi për pagat deri në 30 mijë lekë të reja. “Iniciativa më e fundit për përjashtimin nga tatimi për pagat deri në 30 mijë lek të reja gëzon të gjithë mbështetjen tonë dhe është edhe një pjesë e rëndësishme e premtimeve dhe e programit tonë elektoral. Dhe është një mënyrë shumë efikase për të mbështetur dhe për të ndihmuar një shtresë shumë të gjerë të shoqërisë sonë me të ardhura të pakta, në një situatë të vështirë sidomos përsa i takon industrisë fasone”, përfundoi ai.