Thaçi-Gruevski: Garanci për zgjedhje të drejta
Lideri i PDSH-së shprehet skeptik se çështja e emrit do të zgjidhet së shpejti
Pas 5 viteve kundërshtimesh dhe mospajtimesh mbi politikat e realizuara, Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi eshte takuar me kryeministrin Nikolla Gruevski. Pas takimit Thaçi tha se me Gruevskin kanë biseduar për integrimet evropiane, kurse ka kërkuar garanci edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore. Pas takimit, Thaçi tha se me Gruevskin nuk ka biseduar për bashkëpunim të mundshëm zgjedhor mes dy partive te tyre, por u shpreh i sigurt se në zgjedhjet vendore të 24 marsit do të mposhtë BDI-në e Ali Ahmetit dhe më pas do të kërkojë zgjedhje parlamentare. Temë e bisedimeve në takim kanë qenë edhe negociatat maqedonaso greke për çështjen e emrit. Thaçi tha se bazuar në takimin me Gruevskin, nuk pret zgjidhje të shpejtë të këtij problemi. Takimi Gruevski- Thaçi u realizua në kohën kur mungojnë takimet mes përfaqësuesve të partive kryesore shqiptare BDI dhe PDSH.