E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Zgjedhjet e reja vetëm në 2013”

Autori i Lajmit: Redaksia

Zëvendëskryeministri Ilir Meta hedh poshtë idenë e zgjedhjeve parakohshme. Kreu i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta ka mbrojtur qëndrimin e maxhorancës, dje në një bashkëbisedim me gazetarët në ambientet e ministrisë së Jashtme, duke u shprehur se ato do të jenë zgjedhjet e 2013.
“Çështja e ndryshimit të qeverisë apo Kryeministrit është e pamundur, për arsye se koalicioni është shumë i qëndrueshëm dhe ka një maxhorancë solide, së dyti është 10 herë më e vështirë se sa ka qenë para 2 ose 3 vjetësh, falë ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës. Kështu që zgjedhjet e reja janë vetëm në qershor të vitit 2013, të gjithë duhet të përgatiten për këtë sfidë në kohën e duhur, sepse kush fillon para kohe lodhet më shpejt” –deklaron Meta.
Rikthimi i opozitës
Meta ka përshëndetur edhe rikthimin e opozitës në Parlament, duke thënë se maxhoranca është e hapur për ngritjen e komisionit hetimor, por nga ana tjetër quan të pajustifikueshëm mosmarrjen në konsideratë nga maxhoranca, të propozimit të ndërkombëtarëve për tiu drejtuar Komisionit të Venecias. "Jemi të hapur për ngritjen e komisionit parlamentar dhe për ti dhënë shumicën që kishte kërkuar apo kryesimin e komisionit. Është element pozitiv futja e deputetëve të PS-së në Kuvend brenda afatit kushtetues dhe njëkohësisht besoj se propozimet e tyre do të shqyrtohen sipas procedurave të parlamentit; në mënyrë që ky komision hetimor parlamentar të ngrihet dhe të realizojë ato detyra që janë kërkuar natyrisht, duke respektuar vendimet e gjykatave.
Kundërshtimi i Venecias
Është njëkohësisht për të ardhur keq që kundërshtojnë edhe institucione tepër të njohura ndërkombëtare, për sa i takon ligjit dhe demokracisë, siç është Komisioni i Venecias”- u shpreh zëvendëskryeministri. Ndërsa për deklaratat opozitare se nuk do të kthehen në parlament pa hapur kutitë, Meta u shpreh se, “Nëse thonë se nuk do kthehen në parlament pa hapur kutitë atëherë do të thotë se kanë ardhur në parlament për të mos djegur mandatet”. I pyetur nga gazetarët për lidhjen mes Dushkut dhe Rushdijes, zv.kryeministri Meta u shpreh se, “Dushku ishte një fenomen i cili nuk ishte parashikuar për tu ndaluar me ligj. Natyrisht që ky fenomen dëmtoi legjitimitetin e përmasave të mazhorancës dhe nga komuniteti ndërkombëtar pati një rezolutë që Qeveria ishte e ligjshme. Por maxhoranca për të zgjedhur presidentin me 84 vota, nuk ishte legjitime. Dhe kjo gjë u respektua dhe u mor në konsideratë në atë kohë. Ndërsa për sa i përket kutisë së “Ruzhdijes”, mua më duket një histori fare absurde dhe qesharake, aq më tepër kur kjo kthehet edhe në një çështje basti, sepse këtu jemi duke folur për gjëra më shumë serioze. Qoftë pretendimi i z. Berisha apo i z. Rama se çfarë përfaqëson kjo kuti dhe ky rezultat, të gjitha këto për mua janë nul, sepse gjykata ka marrë vendimin e duhur dhe ka treguar që ka integritet”.

Ky lajm është publikuar: 28/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›