E Diel, 1 Nëntor 2026

Blendi Klosi “Kutitë, ose Berishën do ta largojmë me protesta”

Autori i Lajmit: Redaksia

Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi u shpreh dje se hyrja e Partisë Socialiste në Kuvend ishte një shenjë për të treguar se nuk bëjnë pazare dhe njohin Kushtetutën e vendit. Klosi theksoi se nuk kërkojnë nga mazhoranca pazare, por transparencë deri në fund të zgjedhjeve, në kundërt PS-ja do vijojë skenarin e protestave popullore. “Me hyrjen e saj në Kuvend dhe me këmbënguljen për bërjen e transparencës të zgjedhjeve të 28 qershorit, si një kusht i panegociueshëm për rivendosjen e demokracisë në vend, Partia Socialiste i provoi Sali Berishës njëherë e mirë se nuk është e interesuar në pazaret, të cilat përbëjnë thelbin e pushtetit të tij”, u shpreh Klosi. Ai shtoi se nëse kryeministri Berisha nuk bën transparencë, PS-ja do i shkojë deri në fund kërkesës së saj serioze, deri në largimin e qeverisë me anë të protestave. “Nëse nuk ka transparencë, Sali Berisha do të largohet. Nëse nuk i njeh opozitës të drejtën për transparencë, atëherë fjala i kalon popullit opozitar dhe Sali Berisha do të përballet me protesta të pandalshme, derisa kjo e drejtë kushtetuese e ligjore e opozitës të vihet në vend. I mbetet Sali Berishës të vendosë, ashtu siç do ti mbetet Sali Berishës edhe përgjegjësia për thellimin e mëtejshëm të krizës. Partia Socialiste e bëri edhe njëherë hapin e saj. Tani projektligji është në dorë të mazhorancës”, u shpeh Klosi.
“Fatkeqësisht, me gjithë dëshirën e mirë dhe vullnetin për bashkëpunim që tregoi Partia Socialiste kjo përpjekje e sinqertë u prit nga mazhoranca e Sali Berishës me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë që e kanë karakterizuar atë ngaherë, duke e refuzuar këtë shans pa treguar as minimumin e korrektesës politike e demokratike. As minimumin e vullnetit për të kontribuar ndaj zgjidhjes së krizës. Pas kompromisit të madh që i ofroi Sali Berishës duke njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, Partia Socialiste i ka ofruar atij dhe një kompromis të dytë, duke u futur në Kuvend për të kontribuar kështu drejt zgjidhjes së krizës”, tha Klosi.

Ky lajm është publikuar: 28/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›