Meta dënon incidentin me ushtarët greke

Zoti Ilir Meta, nënvizon zëdhënësi, insiston në domosdoshmërinë për ndëshkimin e autorëve të këtij akti të rëndë provokues dhe thekson se ekstremistët duhen izoluar kudo qofshin ata.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme shpreh indinjatën e thellë për ngjarjen e rëndë, e cila vjen në kundërshti të plotë dhe nuk i përgjigjet aspak vullnetit politik dhe nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve mes vendeve e popujve tanë fqinj, si dy shtete anëtare të NATO-s.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, bën të ditur zëdhënësi i MPJ, vlerëson gatishmërinë e autoriteteve greke për t`u distancuar nga kjo ngjarje skandaloze dhe mirëpret angazhimin e menjëhershëm dhe konkret nga ana e tyre për t`u dhënë autorëve ndëshkimin e merituar, jo thjesht dhe vetëm për të dënuar autorët e ngjarjes së rëndë, por që raste të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.