Meta dorëzon imunitetin: “Videoja është shantazh politik”
Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, ka bërë publik dje dorëzimin e imunitetit të tij të deputetit, si dhe ka konfirmuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me Prokurorinë për çfarëdolloj hetimi ndaj tij. Në një konferencë të posaçme për shtyp, kreu i LSI-së e ka cilësuar videon e transmetuar një natë më parë nga TV “Top Channel” si një shantazh politik. Madje Meta ka hedhur akuza ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, si nxitës të kësaj videoje dhe që e ka përdorur atë për të bërë shantazh, me synim arritjen e një kompromisi politik. Më tej, duke sqaruar përmbajtjen e videos, Meta ka bërë të ditur se ndërhyrja e tij te ish-ministri i Ekonomisë Prifti ishte e ligjshme, pasi Prifti kishte zvarritur dhënien e koncesionit për hidrocentral një kompanie që kishte fituar edhe gjyqin në Apel. Ndërsa ndikimin për punësimin e anëtarëve të LSI-së, Meta e cilëson normal, pasi ai është kryetar i kësaj partie dhe, si i tillë, i duhet të kujdeset për simpatizantët e saj. I pyetur për mundësinë e dhënies së dorëheqjes, zëvendëskryeministri u shpreh se një veprim të tillë do ta bëjë më 28 qershor 2013, pra kur përfundon mandati i kësaj qeverie. Ai u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me Prokurorinë për hetimin e kësaj çështjeje, ndërsa deklaroi disa herë se videoja është montazh dhe shantazh politik. I pyetur nëse do të ngrejë padi kundër ish-ministrit Prifti, Meta tha se nuk ka kohë të humbasë me çimka.
Sqarimi
“Dua t’ju bëj të ditur së pari juve dhe opinionit publik lidhur me letrën time, me njoftimin tim zyrtar kryetares së Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, ku për të konkretizuar angazhimin tim si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe në dobi të transparencës ndaj çdo akuze për korrupsion dhe shkelje të ligjit, ju njoftoj zyrtarisht për lënien njëherë e përgjithmonë të imunitetit tim, si shprehje e vullnetit politik për të kontribuuar në luftën kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor”, - është shprehur Meta në krye të fjalës së tij. Ai e ka cilësuar videon një blof të shëmtuar politik. “Dua t’ju bëj të qartë se ky përgjim i pështirë, si vetë organizatorët dhe trumbetuesit e tij, është kryekëput një blof i shëmtuar politik dhe moral, i cili është bërë në kuadër të shantazheve nga krimi i organizuar ndaj personit tim për shkak të detyrave të mia, e sidomos të asaj si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, një forcë e rëndësishme dhe përcaktuese e koalicionit për integrim”, - është shprehur Meta, ndërsa ka akuzuar kreun e PS-së, Rama, si nxitës të këtij përgjimi për ta shantazhuar atë. “Kjo e ashtuquajtur kasetë është përdorur thjesht për të bërë shantazhe, për të më ulur mua në një pazar politik, në një kompromis politik me Edi Ramën dhe me krimin e organizuar që e drejton Edi Rama. Unë kam refuzuar me neveri çdo lloj shantazhi dhe çdo lloj bashkëpunimi me shantazhe të tilla të fëlliqura, dhe këtë do ta bëj gjithmonë, duke qenë i bindur jo vetëm në integritetin tim, por duke qenë i bindur se kompromis mund të bëhet me këdo për interes të vendit, për interes të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe qëllimeve të saj, por kompromis me krimin e organizuar nuk ka dhe nuk do të ketë as sot dhe asnjëherë në të ardhmen nga Ilir Meta dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim”, - është shprehur Meta, ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë gjithçka.
Ndërhyrja
Më tej, ministri aktual i Ekonomisë dhe Energjetikës ka dhënë shpjegime në lidhje me dialogun e regjistruar në video mes tij dhe ish-ministrit Prifti. Sipas Metës, “ky përgjim vërtitet rreth një ndërhyrjeje për interes të një kompanie të caktuar lidhur me një tender për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Egnatia-Shushica” në lumin e Gostimës. Dua t’ju bëj të ditur se ky tender është hapur në këtë ministri që më 30 prill të vitit 2008, në të cilin kanë marrë pjesë tre bashkime shoqërish të ndryshme, pra tre konkurrentë. Kjo procedurë tenderimi dhe vlerësimi për dy vjet ka qenë e bllokuar për arsye se komisioni i vlerësimit të ofertave i Ministrisë kishte skualifikuar një nga konkurrentët për arsye të konfliktit të interesit. Përfaqësuesi i kësaj kompanie, i cili përmendet edhe në këtë përgjim dhe ledhatohet me emrin Gimi, në mënyrë zyrtare, pasi ka konsumuar pretendimet në emër të kompanisë në këtë ministri, pasi ka vërejtur zvarritje dhe mosprotokollim të vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, e cila kërkonte që kjo kompani të merrte pjesë në garë pasi ishte një gjyq që ishte fituar. Duke hasur në vështirësi në këtë drejtim në këtë ministri, është drejtuar te unë si zëvendëskryeministër, por edhe si kryetar i LSI-së. Dhe unë thjesht këtë shqetësim dhe këtë problem ia kam propozuar ish-ministrit, duke kërkuar që thjesht të respektohej vendimi i Gjykatës së Apelit”, - është shprehur Meta.
Këtë ndërhyrje Meta e ka cilësuar të ligjshme dhe për të vërtetuar se nuk e ka favorizuar kompaninë në fjalë ka bërë të ditur se në datën 25 tetor të vitit 2010, në kohën kur ai vetë ishte ministër Ekonomie, komisioni i vlerësimit të ofertave në këtë ministri ka vendosur skualifikimin e kësaj kompanie. Meta nuk bëri të ditur arsyet e skualifikimit për të respektuar etikën, por shtoi se të gjitha dokumentet që disponon do t’ia vërë në dispozicion Prokurorisë. Zëvendëskryeministri konfirmoi për mediat se “prej disa javësh kam vënë në dijeni kryeministrin lidhur me shantazhet që më janë bërë, përmes gjoja një përgjimi, për të bashkëpunuar me organizatorët e gjithë kësaj historie mafioze dhe banale”. I pyetur se ç’domethënie kanë shifrat e përmendura në kasetë, si 700 apo 7%, Meta tha se është bërë lexim i buzëve të tij dhe “përkthimi” është i gabuar. Përsa i përket shifrës 700, Meta sqaron se ka lexuar mesazhin e këshilltarit të kompanisë, i cili ka thënë se “ju kam thënë që dëmi që i është shkaktuar kompanisë nga zvarritja dhe moszbatimi i vendimit të Gjykatës është 700 mijë euro”. Ndërsa për shifrën 7% ai tha se kjo do të sqarohet nga ekspertët e Prokurorisë.
Reagon zëdhënësja e KE-së
Komisioni Europian i bën thirrje Drejtësisë shqiptare të hetojë përgjimin
Ka reaguar dje edhe Komisioni Europian në lidhje me videon e përgjimit të zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Natasha Butler, u shpreh dje për mediat se sapo është informuar në lidhje me këtë video. Ajo tha se lufta kundër korrupsionit është një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Europian për t’u plotësuar nga Shqipëria, si dhe kriter parësor për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Në emër të Komisionit Europian dhe të komisionerit për Zgjerimin, Shtefan Fyle, zëdhënësja Butler u bëri thirrje organeve shqiptare të drejtësisë që të hetojnë këtë video dhe të vendosin para ligjit cilindo person të korruptuar. “Natyrisht, lufta kundër korrupsionit është një kriter politik dhe kriteri kyç për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe siç përmendet edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian, është e nevojshme që për të arritur rezultate në këtë luftë duhet të ndërmerren hapa në dy drejtime, duke hetuar dhe duke proceduar me dënime në të gjitha nivelet e krimit. Ne sapo jemi informuar në lidhje me këtë video dhe nuk mund të bëjmë shumë komente. Por, siç e dini, ka një sistem drejtësie në Shqipëri dhe i takon drejtësisë të hetojë lidhur me këtë çështje. Fillimisht i takon prokurorisë që të hetojë mbi informacionet e transmetuara dhe të kryejë hetime për të vërtetuar këtë çështje”, - është shprehur zëdhënësja e KE-së. Butler shtoi gjithashtu se në Shqipëri, ashtu si në të gjitha vendet e tjera kandidate, nuk mund të ketë mosndëshkim, pasi askush nuk është mbi ligjin.
LSI, Vasili: “Videoja, përpjekje e Ramës dhe Priftit për të bërë marrëveshje me Metën”
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, e ka cilësuar videon si një përpjekje të kryetarit të PS-së Rama dhe të ish-ministrit Prifti për t’i bërë shantazh Metës në mënyrë që të arrinin një marrëveshje politike me të. Më tej, gjatë fjalës së tij, Vasili është shprehur se videoja është e ideuar dhe e përdorur nga kryetari i PS-së. “Kryetari i çimkave e akuzoi për javë të tëra këtë çimkë si të kryekorruptuarin e vendit, si simbolin e çdo pune të pisët të në këtë vend, si turpin shtetëror më të madh dhe i kërkoi mijëra herë dorëheqjen dhe shkarkimin”, - tha Vasili. Ai shtoi se Prifti pati deklaruar se e kishte parë Ramën të merrte kokainë dhe e kishte akuzuar si më të korruptuarin dhe autor të punëve të pista. “Por sot të gjithë dëgjuan më në fund që këto dy çimka, i gjati dhe i shkurtri, ishin bashkë, se ishin tallur me shqiptarët sa kishin dashur, se nuk u kruhej barku hiç për korrupsionin dhe paratë e shqiptarëve, por vetëm kishin hallin e rrëmbimit të pushtetit me çimka për të shqyer paratë e shqiptarëve”, - vijoi ai. Nënkryetari i LSI-së tha se Rama, së bashku me Priftin tentuan për muaj të tërë që të arrinin një marrëveshje me Metën duke i bërë shantazh, por kur i humbën shpresat “vollën” atë përgjim të neveritshëm dhe të manipuluar. “Kryetari i Partisë Socialiste, si përfaqësues, frymëzues dhe mbështetës i standardit të pështirë të përgjimeve e çimkave, është sot përfaqësues i antimoralit që shqiptarët e kanë refuzuar e përbuzur pa asnjë mëdyshje”, - vijoi ai.
PD: Videoja është montazh i kryesocialistit Rama
Kryeministri Berisha, përmes zëdhënëses së Partisë Demokratike, e ka cilësuar si një video të montuar atë të publikuar një ditë më parë nga emisioni “Fiks fare”, që denonconte aferat me tenderë të zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj, ka deklaruar se videoja është vetëm një lojë e opozitës dhe në emër të kryeministrit ka shprehur bindjen se drejtësia do të hedhë dritë mbi gjithçka. “Kryeministri Berisha dënon trukimin e një videoje nga Edi Rama. Por ai ka besim se të gjitha organet kompetente do të hetojnë çdo pjesë të kësaj çështjeje dhe se drejtësia do të thotë në mënyrë të pavarur fjalën e saj”, - ka pohuar Mustafaraj. Zëdhënësja ka shtuar më tej se nga ana e saj, qeveria do të bëjë gjithçka që t’i lehtësojë procesin hetimor organeve të Drejtësisë.
Deputetët, të cilëve u është hequr imuniteti
Gjatë viteve të pluralizmit ka një numër të konsiderueshëm deputetësh, të cilëve u është hequr imuniteti. Për rastësi, deputeti i parë që i është hequr imuniteti, pikërisht në vitin 1992, është kryetari aktual i LSI-së, Ilir Meta. Akuza e ngritur ndaj tij ishte “nxitje e revoltave” në Poliçan gjatë vitit ’92. Pas Metës humbi imunitetin edhe ish-lideri historik i së majtës, Fatos Nano. Më 27 korrik 1993, organi i akuzës e akuzonte për disa krime dhe sidomos për përvetësim në favor të të tretëve. Ndërsa i ndjeri Azem Hajdari ishte i pari deputet i pozitës së atëhershme, Partisë Demokratike, që humbi imunitetin. Ai rrahu ish-shefin e administratës së PD-së në vitin 1994.
Ndërsa gjatë pesë viteve të fundit, gjatë qeverisjes së PD-së, i është hequr imuniteti dy ministrave. E kemi fjalën për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Arsyeja për heqjen e imunitetit të Mediut ka qenë hapja rrugë e hetimeve të tragjedisë së Gërdecit, e cila ka ndodhur më 15 mars 2008 dhe për këtë është akuzuar edhe ish-ministri Mbrojtjes, Mediu. Kurse procesi i Lulzim Bashës tashmë është mbyllur nga Gjykata e Lartë. Pas tyre imuniteti iu hoq menjëherë ish-deputetit të PD-së, Ylli Pango, për shkak të skandalit seksual. Rasti më i fundit i heqjes së imunitetit është ai i ish-deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi, për shmangie të detyrimeve financiare doganore. Ndërsa gjatë ditës së djeshme, zëvendëskryeministri Meta hoqi dorë nga imuniteti i tij në mënyrë vullnetare. Megjithëse Meta ka deklaruar heqjen e imunitetit të tij në bazë të Rregullores së Kuvendit, duhet që heqja e imunitetit të votohet në seancë parlamentare në mënyrë që t’i hapet rruga prokurorisë për të proceduar me hetimet.
Heqja e mandatit, precedenti “Beqja”
Ndërsa numërohen disa raste për heqjen e imunitetit të deputetëve, ekziston vetëm një rast që Kuvendi miraton heqjen e mandatit të deputetit. Dhe ky është rasti i deputetit socialist Ilir Beqja. Ai u akuza pak kohë më parë nga Partia Demokratike se ka fituar para nga fondet publike gjatë kohës që ishte deputet, dhe kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën. Për këtë arsye, deputetët demokratë miratuan në seancë heqjen e mandatit të tij të deputetit. Çështja është ende në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
13 Janar 2011