Rama: “Videoja tregoi pse bashkëpunon Berisha e Meta”
Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar dje në lidhje me videon e transmetuar një natë më parë nga Top-Channel, duke akuzuar zëvendëskryeministrin Ilir Meta dhe kryeministrin Sali Berisha për bashkëpunim në korrupsion. Rama tha se videoja e transmetuar u tregoi shqiptarëve se çfarë ndodh prej kohësh “nën çatinë e qeverisë së krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë”. Sipas Ramës, më e pakta që mund të ndodhte në çdo vend të botës pas transmetimit të një prove të tillë është dhënia e dorëheqjes së një anëtari të qeverisë, gjë që nuk ndodhi. Ai tha se në afera korruptive nuk është i përfshirë vetëm Ilir Meta, por edhe kryeministri Berisha.
Reagimi
“Ajo që populli pa mbrëmë u bë shumëfish më e rëndë sot duke dëgjuar Metën dhe Saliun. Sepse mbrëmë u pa nga të gjithë, me zë e me figurë, një ndër episodet e panumërta që ndodhin prej kohësh nën çatinë e qeverisë së krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë. Ndërsa sot, u panë e u dëgjuan, të dy bashkë, kryeministri dhe zëvendësi i tij, kusari i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe matrapazi i votave opozitare, t’u tregonin shqiptarëve se jo vetëm kanë vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë, po me fuqinë e shtetit të kapur e të parasë së pistë duan të vazhdojnë të vjedhin votat e të plaçkitin gjithçka, madje duke u tallur me një popull të tërë”, - është shprehur kryesocialisti Rama. Ai tha se qeveria është e përfshirë në një sërë aferash korruptive që lidhen me HEC-et, TEC-et, naftën, bregdetin, minierat e çdo pasuri të shqiptarëve. “Mbrëmë u pa e u dëgjua, botërisht, një episod prej pak minutash lidhur me lumin e me llumin e korrupsionit të Saliut, Ilirit e Rulave të tjerë të këtij pushteti, që prej vitesh ka bërë e po bën kërdinë me HEC-et e me TEC-et, me naftën e me bregdetin, me minierat e me pronat e patundshme të shtetit, me çdo pasuri të Shqipërisë e të shqiptarëve. Por sot ndodhi diçka edhe më e rëndë, sepse botërisht ai që duhet të largohej dhe ai që duhet ta largonte, njëri zëvendës e tjetri kryeministër, i dhanë popullit provën tronditëse se pse janë bërë bashkë, pse rrinë bashkë e madje pse duan të vazhdojnë të rrinë bashkë në koalicionin që kanë krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë”, - është shprehur Rama. Ai theksoi se pas Metës qëndron Berisha.
“Është e padrejtë të thuhet se në atë episod të neveritshëm matrapazllëku ishte vetëm Ilir Meta. Kjo mund të thuhej mbrëmë. Sot mund të thuhet pa asnjë dyshim se aty ishte edhe Saliu dora vetë”, - është shprehur lideri i selisë rozë. Sipas Ramës, më e pakta që mund të ndodhte pas publikimit të këtij fakti do të ishte dorëheqja e Ilir Metës, gjë e cila nuk ndodhi. Madje, sipas tij, në mënyrë absurde u akuzua dhe opozita. “Në çdo vend, madje edhe në Shqipërinë e pak viteve më parë, madje edhe gjatë qeverisjes së vetë Saliut para zgjedhjeve të shkuara, ky episod do të kishte sjellë minimalisht dorëheqjen ose largimin e çdo anëtari të qeverisë. Ka shembuj konkretë për këtë në kujtesën e të gjithëve. Sot jo vetëm nuk ndodhi kjo, po ndodhi e kundërta, më e rëndë edhe se vetë episodi në fjalë. U tha që populli nuk ka parë atë që pa dhe nuk ka dëgjuar atë që dëgjoi, madje kjo ishte një vepër e krimit, i cili paska kapur opozitën dhe gazetarët e Fiksit, për të penguar qeverinë në punën e saj të vrullshme e të ndershme në shërbim të popullit”, - është shprehur Rama. Në përfundim ai u premtoi shqiptarëve se shumë shpejt PS-ja do të vendosë për hapat që do të ndërmarrë në ditët në vijim, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë pasi kanë një arsye më shumë për të larguar nga pushteti këtë qeveri “që jo vetëm grabit përditë, jo vetëm vazhdon të provojë e të provohet se synon të vjedhë përsëri zgjedhjet për të vazhduar të vjedhë Shqipërinë, po ka edhe pafytyrësinë e paturpësinë e skajshme të tallet me shqiptarët duke mohuar sy për sy, deri edhe gjëra që shihen e flasin vetë si ajo e mbrëmshmja”.
Ish-ministri Prifti konfirmon dialogun e regjistruar me Metën
Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka reaguar dje përmes një deklarate për shtyp lidhur me videon e transmetuar një ditë më parë nga Top-Channel, duke deklaruar se gjithçka që paraqitet në të është e vërtetë. Prifti ka komentuar edhe deklaratën e djeshme të zëvendëskryeministrit Ilir Meta, duke e cilësuar mohimin e akuzave nga ana e tij si një farsë. “Kam ndjekur me vëmendje dje emisionin ‘Fiks fare’ dhe sot reagimin e ‘kristaltë’ të Ilir Metës, ku mohon presionin që ka bërë ndaj meje për t’u dhënë tenderë dhe koncesione miqve të tij. Për publikun dua të konfirmoj si dëshmitar i ngjarjes, se videoja e shfaqur në ‘Fiks fare’ është e saktë dhe përmban thënie origjinale të Ilir Metës në bisedën me mua”, - ka deklaruar ish-ministri i Ekonomisë, Prifti. Deputeti ka bërë të ditur se videoja është shkurtuar nga versioni origjinal, por ka nënvizuar se të gjitha ato që janë transmetuar janë të vërteta. Ai ka paralajmëruar se versionin origjinal të videos do ta vërë në dispozicion të organeve të drejtësisë, selive diplomatike të akredituara në Tiranë dhe organizatave europiane që monitorojnë vendin. “Unë kam versionin origjinal të videos dhe do t’ia vë në dispozicion prokurorisë. Do t’ia vë atë së shpejti në dispozicion të gjitha ambasadave të huaja në vend, institucioneve ndërkombëtare që na monitorojnë dhe merren me zbatimin e ligjit, OSBE-së, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Komisionit Europian etj. Origjinalitetin dhe vërtetësinë e asaj bisede do të kenë mundësi ta vërtetojnë të gjithë”, - ka shtuar Prifti.
G99-a: “Meta të japë dorëheqjen”
Kryetari i grupimit “G99” ka reaguar dje pas transmetimit të videos që implikon në korrupsion zëvendëskryeministrin Ilir Meta. Përfaqësuesi i këtij grupimi, Ervin Mete, kërkoi dje dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Meta, si akti më minimal pas këtij skandali. “Sot shqiptarët ndihen të poshtëruar nga zëvendëskryeministri i tyre. Ndihen të poshtëruar nga plaçkitja që i bëhet këtij vendi e nga arroganca me të cilën nuk jepet dorëheqje. Kjo nuk është as qeveria e integrimit as qeveria e duarve të pastra. Kjo është qeveri e turpit. Ilir Meta nuk meriton të jetë zëvendëskryeministër asnjë sekondë më tepër. Dorëheqja është akti minimal. Ish-kryeministri i Kroacisë është sot nën hetim. Kryeministri i Malit të Zi dha dorëheqjen për shkak të akuzave për korrupsion. Ky është standardi i integrimit. Zëvendëskryeministri ynë duhet ta kishte dhënë dorëheqjen tashmë. Ai ka humbur çdo të drejtë morale për të qeverisur në këtë vend”, - tha Mete.
Videoja, Prokuroria e Tiranës nis hetimet për Metën dhe Priftin
TIRANË – Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, pas shfaqjes së materialeve filmike të paraqitura në emisionin “Fiks fare” në televizionin “Top-Chanel”, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë si dhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Burimet zyrtare të organit qendror të akuzës bëjnë të ditur se në funksion të këtij procedimi, Prokuroria e Tiranës ka vendosur të sekuestrohet kaseta filmike e shfaqur në emisionin “Fiks fare” si provë materiale. Njëkohësisht, paralelisht me këtë sekuestrim, grupi hetimor i ngritur me këtë qëllim po kryen veprimet e nevojshme hetimore. Njoftimi zyrtar i Prokurorisë nuk sqaron detaje nëse hetimet do të kryhen edhe për Priftin. Por, nga të dhënat e para, njoftohet se do të bëhet sekuestrimi i dokumentacioneve për tenderin që flitet në video.
Gjatë tre viteve të fundit ka pasur shumë akuza dhe padi nga politika në Prokurori. Deputetë të PS-së dhe të PD-së kanë depozituar kallëzime për njëri-tjetrin. Rasti më i fundit ishte përplasja mes socialistit Erion Braçe dhe deputetes së PD-së Albana Vokshi, për akuza aferash rreth koncesioneve të HEC-eve, të naftës dhe lejet e ndërtimit. Në mbyllje të procesit, Prokuroria njoftoi në fund të vitit të kaluar pushimet e hetimeve për kallëzimet e bëra ndaj kryebashkiakut Edi Rama për shpërdorim me detyrën (taksa 20% për lejet e ndërtimit) dhe abuzime në dhënien e koncesionit të shfrytëzimit të naftës nga “Stream Oil”. Ndërkohë, vijojnë hetimet për dhënien e koncesioneve të HEC-ve, të cilat janë marrë nga bashkëjetuesi i deputetes së PD-së, Albana Vokshi. Deri tani, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka shënuar asnjë goditje të suksesshme në aferat e përmendura në publik për korrupsion nga drejtues të niveleve të larta politike në vend.
13 Janar 2011