E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bare: Strategjia e PS-së së Tiranës për zgjedhjet e 8 majit



Besarta Billa

TIRANË – Listat e zgjedhësve në kryeqytet po verifikohen deri në detaje dhe puna për betejën e 8 majit ka nisur mbi bazën e qendrave të votimit. Këto detaje bëhen të ditura për gazetën nga kryetari i PS-së së Tiranës, Besnik Bare, i cili, në një intervistë për gazetën “Albania”, ka analizuar situatën në bastionin ku do të jetë lufta më e ashpër. “Realizimi i planit urbanistik të qytetit për ta modernizuar atë do të jetë sfida jonë”, - tha kryesocialisti i Tiranës. Sipas tij, këtu përfshihet edhe përmirësimi drastik i qarkullimit urban, rritja e mëtejshme e shërbimeve me cilësi edhe në pjesët periferike etj. Zoti Bare nuk ka bërë të ditur nëse Rama do të rikandidojë, por ka lëshuar kritika të ashpra ndaj maxhorancës dhe ka deklaruar se zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend nuk ka për aq kohë sa të jetë zoti Berisha.

Listat e zgjedhjeve për pushtetin vendor tashmë janë shpallur. A i keni verifikuar ato? Cili është opinioni juaj?

Nuk kemi asnjë dyshim që zgjedhjet e fundit, ashtu si gjithmonë kur Berisha ka qenë në pushtet, janë manipuluar. Ka qenë kjo arsyeja që Berisha nuk lejoi të hetohen listat e zgjedhjeve të 28 qershorit duke marrë mbi vete autorësinë e manipulimit. Për rrjedhojë, ne po merremi shumë seriozisht me listat, verifikimin e tyre dhe njohjen e votuesve në çdo qendër votimi.

A ka filluar seleksionimi i kandidaturave për zgjedhjet lokale?

Jo, nuk ka filluar. Për ne, primare është kryerja e zgjedhjeve me standarde, pasi deri sot, Shqipëria, përsa u përket zgjedhjeve, është kthyer si vendi simbol i Europës, ku që prej 20 vjetësh ato deformohen në mënyrë skandaloze. Ka vetëm një autor që i pengon ato të zhvillohen në mënyrë transparente dhe të ndershme; ai është autori i manipulimit të zgjedhjeve të 1996-s, i cili sot e kësaj dite i quan ato të ndershme. Është ai që pengoi transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai kurrë nuk do të mund të kryejë zgjedhje të ndershme.

Cilat janë masat organizative nga Partia Socialiste e Tiranës në prag zgjedhjesh?

Partia Socialiste ka përvojë dhe është më e organizuara në vend. Ne punën tonë e kemi të ndërtuar mbi bazë qendre votimi.

PS-ja ka 3 mandate qe e drejton Bashkinë e Tiranës. Çfarë të reje do të ofrojë mandati i katërt?

Fakti që ne jemi votuar progresivisht në rritje flet se qytetarët e Tiranës kanë parë një shërbim në rritje. Këtu kam parasysh cilësinë e rrugëve, mbjelljet me pemë, ndërhyrjet e përmirësimi i parqeve. Realizimi i planit urbanistik të qytetit për ta modernizuar atë do të jetë sfida e jonë. Kam parasysh këtu edhe përmirësimin drastik të qarkullimit urban, rritjen e mëtejshme të shërbimeve me cilësi edhe në pjesët periferike etj. Sidoqoftë, në kohën e duhur kandidati do t’i bëjë prezent në platformën e tij se çfarë do të ofrojë.

Sipas kreut të KQZ-së, z. Ristani, kriza politike rrezikon zgjedhjet lokale. Parashikohet kompromis, apo një bojkotim i mundshëm i zgjedhjeve?

Në fakt, Ristani është kthyer në një vegël të Berishës, sikurse ka ndodhur gjithmonë me krerët e KQZ-ve, kur ky i fundit organizon zgjedhjet. E ritheksoj, ka vetëm një njeri që i prish zgjedhjet dhe nuk lejon që të bëhen me standarde: ky është Berisha. Sa kohë që ai do të jetë në krye të vendit, në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira.

PROGRAMI

Miratimi dhe vënia në zbatim e planit urbanistik të Tiranës

Përmirësimi drastik i qarkullimit dhe transportit urban

Rritja e mëtejshme e shërbimeve me cilësi ndaj qytetarëve

Fokusimi i investimeve në zhvillimin e zonave periferike

SOMARIO

Ka vetëm një autor që i pengon ato të zhvillohen në mënyrë transparente dhe të ndershme; ai është autori i manipulimit të zgjedhjeve të 1996-s, i cili sot e kësaj dite i quan ato të ndershme. Është ai që pengoi transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai kurrë nuk do të mund të kryejë zgjedhje të ndershme

Akuzat për HEC-in, “Ferar sh.p.k.”, padi për deputeten socialiste

TIRANË - Kompania “Ferar sh.p.k” ka paditur deputeten e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, për shpifje, pas akuzave që ajo ngriti ndaj kësaj kompanie në lidhje me procedurat e koncesionit të hidrocentralit në lumin e Bënçës. Avokati i kësaj kompanie, Bashkim Sulstarova, i ka quajtur si spekulime dhe të pavërteta akuzat se kjo kompani ishte e preferuara e ministrit Ruli, në kohën kur ai drejtonte Ministrinë e Ekonomisë. Ai tha se opozita dhe përfaqësuesja e saj jo vetëm që nuk janë në krah të biznesit, por e godasin atë me mjete tepër të ulëta. Akuzat e deputetes socialiste Felaj janë përgënjeshtruar edhe nga zëdhënësja për shtyp e ministrit Genc Ruli, përmes disa dokumenteve të paraqitura dje nga zëdhënësja. Ministri Ruli i ka kërkuar Partisë Socialiste të lërë mënjanë lojën politike, por nëse ka fakte për akuzat, t’i drejtohet prokurorisë.

REAGIMI
PS: Ruli u shmanget fakteve

TIRANË – Menjëherë pas deklaratave të zëdhënëses së ministrit Ruli reagoi Partia Socialiste duke deklaruar se ish-ministri i Ekonomisë u shmanget fakteve. Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, pohoi se “ajo që nuk tha përsëri Genc Ruli nëpërmjet zëdhënëses ishte se përse u skualifikua kompania italiane ‘Radici Energi’? Përse u tha se kishte ofertë jashtë kushteve të tenderit, ndërkohë që avokati i prokurimeve dhe Agjencia e Prokurimit Publik e konsideronin vendimin e Rulit për ta skualifikuar të padrejtë?”.
“Arsyeja e vetme është se Genc Ruli kërkonte t’i mbyllte gojën kësaj kompanie për të favorizuar kompaninë tjetër me të cilën e lidhin interesa korruptive”, - tha përfaqësuesi i selisë rozë.

13 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›