E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta hyn bashkë me minatorët në tunel

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi nga Bulqiza se forca politike që ai drejton nuk do të reshtë së kërkuari në Kuvendin e Shqipërisë miratimin e projektligjit për statusin e minatorit. Askush, tha ai, nuk mund të bëjë më shumë se LSI-ja, për hallet dhe problemet me të cilat përballet Bulqiza në katër vitet e ardhshme. Ai i garantoi të pranishmit në këtë takim se pas 28 qershorit do të kenë një tjetër qeverisje, e cila do të mundësojë në Parlament miratimin e ligjit për statusin e minatorit. Qeveria u ka borxh minatorëve, që para dhe pas viteve ‘90 kanë mbajtur në këmbë ekonominë e vendit. Praktika e dhënies së minierës me koncesion, vijoi më tej zoti Meta, është e domosdoshme dhe e paevitueshme. Ndaj, shtoi ai, faji për problemet e shumta me të cilat përballet miniera nuk është i koncesionit, por i revizorëve të shtetit që mbulojnë korrupsionin e koncesionarëve, duke mos u kërkuar atyre realizimin e investimeve, punimet e thellësisë etj., sipas kontratës së nënshkruar me qeverinë për këtë qëllim. "Detyrimisht qeveria duhet t‘u kërkojë firmave zbatimin me korrektësi të kontratës për disiplinën dhe sigurinë teknike në punë për minatorët", u shpreh Meta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›