E Enjte, 5 Nëntor 2026

Meta i kërkon Ramës: Tërhiq mbrapsht sulmin dhe fjalorin ordiner të përdorur ndaj zonjës Grida Duma!

Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të kërkojë ndjesë publike dhe të tërheqë mbrapsht sulmin dhe fjalorin ordiner të përdorur ndaj zonjës Grida Duma, kandidate e PD në opozitë për zgjedhjet e 25 prillit. “E dënoj me ashpërsi dhunën verbale dhe linçimin publik, të papranueshëm për traditën shqiptare dhe çdo shoqëri demokratike, të bërë ndaj zonjës, njëherazi nënë e një fëmije të mitur, Grida Duma” shkruan zoti Meta në një status në Facebook. Sipas tij “Asnjë ndarje politike nuk mund t’i japë të drejtë revanshit të rrugaçërisë, për më tepër kur këto sulme të papranueshme për moralin njerëzor dhe etikën institucionale, konsumohen nga personat e veshur me autoritetin e shtetit.
Duke besuar në reagimin e fuqishëm të shoqatave që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të grave, i bëj thirrje Kryeministrit ende në detyrë, të kërkojë ndjesë publike dhe të tërheqë mbrapsht sulmin dhe fjalorin ordiner të përdorur ndaj zonjës Duma” shkruan zoti Meta.
Vetë zonja Duma duke reaguar rreth vlerësimeve të kryeministrit Rama ndaj saj, tha se ai ishte në panik dhe kishte vetëm një ofertë, sharjen. “Ne në 25 prill do të sjellim ndryshimin që me kaq padurim po e presin shqiptarët” tha zonja Duma në një deklaratë në Facebook.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›