Meta kthen në Kuvend ligjin “Për Metrologjinë”: Me përmbajtje antikushtetutshmërie

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot kthimin në Kuvend të ligjit “Për metrologjinë”, për rishqyrtim. Sipas zoti Meta “është një ndër ligjet me përmbajtje më të lartë antikushtetutshmërie, në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues, duke përbërë dhe shembullin tipik dhe të përsëritur, të fenomenit të “korrupsionit legjislativ”.
Presidenti Meta i është drejtuar me një thirrje SPAK-ut që të hetojë nismën e qeverisë dhe arsyet e autorëve që e kanë shtyrë Kuvendin të shqyrtojë.“Ky ligj ka nivel të lartë antikushtetutshmërie, nga përmbajtja e tij reflekton qartë se fenomeni i korrupsionit legjislativ ka përfshirë edhe këtë nismë ligjvënëse në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë mënyrë si President i Republikës, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë menjëherë hetimet për të verifikuar se si është ndërmarrë dhe shqyrtuar nisma nga qeveria dhe cilat kanë qenë arsyet reale dhe autorët që e kanë shtyrë Kuvendin e Shqipërisë të pranojë këtë gjendje të rëndë, duke vendosur përpara përgjegjësisë të gjithë ata që kanë ndihmuar, lehtësuar dhe kanë bërë të mundur që kjo nismë të shohë dritën e miratimit në Kuvend”, deklaron zoti Meta.