Meta mbështet Berishën për mosbindjen civile: Përshkallëzimi, i domosdoshëm

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka qenë në një linjë me liderin e Partisë Demokratike Sali Berisha për vijimin e protestave kundër qeverisë “Rama”, duke shkuar deri edhe në ngujim.
Në një deklaratë për media, Meta u shpreh se përshkallëzimi i protestave dhe përballja pa kthim me atë që e cilësoi si narkoshtet, është i domosdoshëm.
“Ngritja e qytetarëve dhe përshkallëzimi i domosdoshëm i protestës qytetare dhe përballja pa kthim dhe me çdo çmim me Narkoshtetin është tanimë e vetmja rrugë dhe alternativë që ka mbetur për të rivendosur shtetin ligjor dhe llogaridhënien, për të mbrojtur dhe garantuar rikthimin e pluralizimit politik, të demokracisë dhe njëkohësisht sigurinë e familjeve shqiptare.
Narkoshteti nuk do të ketë më asnjë minutë paqe dhe ai e kuptoi qartë se beteja e tij me qytetarët nuk do të fitohet kurrë duke helmuar popullin me gaz dhe as duke përdorur dhunën dhe provokimet e Narkopolicisë.
Përdorimi kriminal dhe jo proporcional i dhunës, i gazit lotsjellës deri tek fëmijët dhe të moshuarit, si dhe arrestimet e paligjshme provuan se Policia e Shtetit është shndërruar në Policinë e NarkoPushtetit, që ka humbur jo vetëm besimin, por edhe misionin për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve”, deklaroi Meta, ndërsa shprehu falënderimet për të gjithë protestuesit që morën pjesë ditën e djeshme në tubim.
Meta shprehu objektivin dhe misionin për rrëzimin e qeverisë.
Një ditë më parë opozita zhvilloi një protestë e cila zgjati përreth tre orë dhe e cila u shoqërua me përplasje e shpërthime molotovi.
/rtsh.al/