“Mosbindja e PD”, Andoni: Ishte protestë kaotike, kundërshtari politik nuk është armik

Analisti Ben Andoni ka folur në studion e RTSH 24 për “mosbindjen civile” të opozitës, e cila në tubimin e një dite më parë hodhi molotovë dhe lëndë piroteknike në drejtim të policisë dhe institucioneve kushtetuese.
Për analistin Andoni, protesta e djeshme për nga madhësia në numra apo nga organizimi ishte më e dobëta.
Sipas tij, ishte veprim i gabuar goditja e selisë rozë, sepse “socialistët duhen parë si kundërshtar politik, jo si armiq”.
“Protestuesit e opozitës me aktin e diegiesë së selisë së Partisë Socialiste duhet të kuptojnë që kundërshtari politik nuk është armik por kundërshtar. Duhet të fitosh që ta mundësh se mazhoranca ka lënë hapësira pafund për ta kritikuar ashtu sikurse shoh që cinizmi i qeverisjes është pak i ashpër. Në krahasim me dy protestat e më parëshme në këtë vit nga ana e opozitës por dhe vitit të shkuar, protesta e mbrëmshme linte për të dëshiruar. Së pari për këtë pjesë agresiviteti por mbi të gjitha për pjesën kaotike dhe dëshirën nga organizatorët për të treguar një lloji force.”
PD-ja përpiqet të fokusohet tek pjesëmarrja, pra tek numrat dhe tek pjesa e forcës, tha Andoni, por “harrojnë që kur PD-ja përdor forcën dhe reagime të tilla krijohen asociacione me vitin 1997”.
“Partia Demokratike mezi po del nga një përçarje shumë e madhe. Vetë besoj se ata janë ende të përçarë dhe besoj se fizionominë e vërtetë të PD-së do e shohim në momentin që do shpallen emrat për kandidat për deputet dhe sidomos nga rezultati i zgjedhjeve.Me kalimin e kohës është bërë gati i papërballueshëm për opozitën e përçarë , të paorganizuar dhe mbi të gjitha gjithmonë dhe më shumë pa ide.”
Sipas tij, deri në momentin që fatet institucionale të z. Berisha të marri një drejtim dhe fati politik i opozitës do të vazhdoj të jetë e njëjta.
Ai theksoi se, rezultati i protestës së djeshme është i lidhur ngushtë dhe me fenomenin e largimit të shqiptarëve jashtë vendit.
Organizatat ndërkombëtare së fundmi kanë publikuar një statistika ku 16% e shqiptarëve përgatiten të largohen nga vendi, citon Andoni, teksa thotë që kjo pasojë do të ndihej dhe në organizimet e tilla.
I pyetur nga gazetarja në studio që a do duhet që dhe Berisha si lider i opozitës të bënë mos bindje civile dhe të linte arrestin shtëpiak dhe të protestonte, Andoni tha se ,” kjo është mosbindje ekstreme sepse duhen matur mirë përgjegjësitë sepse z. Berisha dhe të tjerët e kanë më të lehtë për të dhënë direktiva dhe të futen të tjerët.
/rtsh.al/