Meta mbetet në burg, Prokuroria: Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk ndryshon asgjë

Avokati i ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka kërkuar në gjykatë zëvendësimin e masës së sigurisë për kreun e Partisë së Lirisë, duke u mbështetur në vendimin e fundit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Gjatë seancës, mbrojtja ka sjellë si argument raste të mëparshme të ndryshimit të masave të sigurisë për persona të tjerë, përfshirë edhe një ish-drejtuese të AKSHI-t, duke pretenduar se ekzistojnë standarde të ndryshme në trajtimin e rasteve të ngjashme.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kundërshtuar kërkesën, duke deklaruar se vendimi i Kolegjeve të Bashkuara nuk sjell elementë të rinj që justifikojnë ndryshimin e masës së sigurisë.
Prokurori Sotir Kllapi u shpreh në seancë se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të reja që lidhen me zbutjen e nevojave të sigurimit apo me ndryshimin e rrethanave ligjore, duke theksuar se “nuk ka kushte apo rrethana për zëvendësim mase”.
Më 4 maj, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosën saktësime në praktikën e njësuar për masat e sigurisë, pa ndryshuar thelbin e vendimit të vitit 2011, duke e lënë atë në fuqi.
Sipas këtij interpretimi, ndryshimet e bëra konsiderohen teknike dhe nuk sjellin ndryshim në aplikimin praktik të masave ekzistuese.
Seanca për çështjen e Metës pritet të vijojë me shqyrtimin e argumenteve të palëve për masën e sigurisë.