E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meta me të rinjtë: Bashkohuni në një lëvizje mbarëkombëtare, mos lejoni që vendi të shpopullohet

Drejtuesi i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me të rinjtë ku u ka kërkuar që të bëhen së bashku në një lëvizje mbarëkombëtare që të mos lejohet më shpopullimi i vendit dhe se vendi po shkon në drejtim të gabuar.

Meta tha se mbi gjysma e të rinjve që kanë studiuar jashtë nuk duan të kthehen në Shqipërisë ndërsa 78% e aplikantëve për azil jashtë vendit janë nën moshën 34 vjeç.  

“Shqipëria do përgjysmohet pas disa dekadash, kjo do të ishte një tretje përfundimtare e vendit dhe kombit. Është një detyrë patriotike që të bëjmë një kthesë të madhe dhe të fuqishme. Duhet t’i japim perspektivë rinisë me një arsim cilësor dhe shpresëdhënës. Duhet t’i bëjmë të rinjtë pjesë të vendimmarrjes. Do t’u ftoja të gjithëve që t’i japim një ritëm tjetër përfshirjes së rinisë në jetën politike, pasi ka një mungesë interesi për t’i bërë të rinjtë vendimmarrës”, tha Meta.

Teksa e nisi takimin e me shprehjen “Koha për të përveshur mëngët”, Meta u kërkoi të rinjve të bashkohen dhe të luftojnë për të ardhmen e tyre. Sipas tij politikat qeverisëse bëhen pikërisht me qëllimin që të largohen të rinjtë dhe nëse vijohet me këto ritme popullsia e Shqipërisë do të përgjysmohet.

“Largimi i shqiptarëve është një e vërtetë ulëritëse dhe e qëllimshme. Dihet që shumica e atyre që largohen, 78 % e aplikantëve për azil janë nën moshën 34 vjeç, mosha më krijuese, më me ëndrra, më aktive largohet nga vendi. Pse janë gjërat në një drejtim kaq të gabuar që duhet të marrim një kthesë të fortë që do ta marrim së bashku, me të rinjtë dhe prindërit e tyre që vuajnë dramën e vetmisë, sepse nëse vazhdohet kështu, OKB deklaron që në disa dekada Shqipëria do të përgjysmohet. Një tretje e historisë, traditës kombit tonë. Është një detyrë patriotike të bëjmë një kthesë të madhe, të japim prespektive dhe shpresë”, tha Meta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›