E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta në Athinë:Marrëdhëniet shqiptarogreke, të shkëlqyera

ATHINE- Në kuadër të vizitës së tij në Athinë, zv kryeministri njëherësh ministër i Jashtëm, Ilir Meta zhvilloi një takim me homologun e tij grek Droutsas. Marrëdhëniet dypalëshe por edhe zhvillimet e fundit në rajon ishin temë e bisedimeve mes dy zyrtarëve.
Duke u ndalur në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, Droutsas informoi ministrin Meta lidhur me vizitën e tij të fundit në Prishtinë dhe Beograd duke theksuar angazhimin e Greqisë për paqen dhe stabilitetin në rajon, ndërsa i siguroi atij mbëhstetje për integrimin e Shqipërisë.

“Ne biseduam për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve por vecanërisht për zhvillimet më të fundit në Ballkan. Edhe njëherë dua të theksoj rëndësinë që ne i japim afrimit të perspektivës europiane të të gjithë rajonit dhe natyrisht edhe të Shqipërisë. Dua të falenderoj Ilirin që gjeti kohën për të më takuar si dhe për bisedimet shumë konstruktive që patëm“ theksoi Droutsas.

Duke i vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet shqiptaro-greke, ministri Meta shprehu bindjen për forcimin dhe intensifikimin e tyre në të ardhmen.

“Greqia e ka mbështetur dhe e mbështet Shqipërinë të arrijë qëllimin e saj për integrimin europian. Ne së shpejti presim liberalizimin e vizave si dhe në të ardhmen e afërme statusin e kandidatit. Gjithashtu ne diskutuam për progresin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të cilat janë të shkëlqyera në të gjitha fushat. Dua të theksoj se ne vlerësojmë shumë mbështetjen greke dhe vlerësojmë shumë kontributin e Papandreut në europianizimin e rajonit“ u shpreh Meta.

Gjithashtu, Meta falenderoi autoritetet greke për plotësimin e kuadrit ligjor në dobi të integrimit të plotë të komunitetit të shtetasve tanë që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj duke ju referuar vecanërisht dhënies së shtetësisë brezit të dytë të lindur dhe arsimuar në Greqi si dhe të drejtës së tyre për të votuar dhe për tu votuar në zgjedhjet e pushtetit vendor.
(e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›