E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Dushanbe: Më shumë njohje të Kosovës

Tirana zyrtare ka bindjen e plotë se Kosova e pavarur ka krijuar një klimë të re për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë rajonin. Gjatë fjalës së tij në sesionin e 37-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike mbajtur në Dushanbe, Taxhikistan, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe procesit të njohjeve të Republikës së Kosovës si dhe zhvillimeve të fundit në shtetin e ri. Duke iu drejtuar homologëve të tij të vendeve anëtare të OKI-së, z. Meta e vlerësoi miratimin e rezolutës Për situatën në Kosovë, si një dëshmi të qartë të solidaritetit dhe angazhimit të sinqertë të Organizatës së Konferencës Islamike në drejtim të vlerave të lirisë dhe progresit. Gjithashtu, z. Meta vuri në dukje zhvillimet thelbësore që kanë ndodhur në Kosovë në të gjitha drejtimet, duke veçuar konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Në këtë kuadër, ai theksoi pjesëmarrjen e pakicës serbe në zgjedhjet e suksesshme vendore si dhe rolin funksional të EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës, që tashmë është njohur prej 68 vendeve. Gjithashtu, z. Meta vlerësoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe të gjithë fqinjëve të saj, me përjashtim të Serbisë, si një fakt jetësor të realitetit të tanishëm në Ballkan dhe si një domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›