E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në takimin e ministrave të Jashtëm të NEQ

Tema qendrore e takimit të kësaj Nisme ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal në kontekstin e integrimit evropian.

Gjatë fjalës së tij, Meta pasi bëri një ekspoze të progresit të Shqipërisë në përmbushjen e reformave në kuadër të proceseve integruese, vuri theksin në rëndësinë e perspektivës evropiane të rajonit duke vlerësuar në veçanti proçesin e liberalizimit të vizave si një histori suksesi të marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Në këtë kontekst, Meta e konsideroi Deklaratën e Sarajevës si një mbështetje dhe angazhim të plotë të BE-së për perspektivën evropiane të rajonit, dhe si një shtysë dhe frymëzim për të gjithë qeveritë e këtyre vendeve për të përshpejtuar më tej reformat drejt anëtarësimit në BE.

Gjithashtu, ai inkurajoi frymën bashkëpunuese të Nismës për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike mes vendeve anëtare nëpërmjet projekteve zhvillimore me interes të përbashkët dhe me impakt rajonal në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe turizmit. Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Meta ritheksoi nevojën për përfshirjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet rajonale, me synimin për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të saj me vendet e rajonit.

Në përfundim të këtij Takimi, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare nënshkruan dokumentin me rekomandimet e paraqitura nga Grupi Ndërkombëtar i Ekspertëve. Rekomandimet e miratuara synojnë që NEQ, Nisma më e vjetër shumëpalëshe në Evropën Qendrore dhe Lindore, të vazhdojë të transformohet për t'iu përshtatur zhvillimeve të sotme dhe për të realizuar sa më mirë misionin e saj në drejtim të proceseve integruese në strukturat evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›