E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta nga Pogradeci LSI do insistoje per bashkepunimin politik

Në 100 vjetorin e Pavarësisë shqiptarët lëvizin të lirë në Europë dhe Shqipëria është anëtare e NATO-s. Ndërsa ka bërë urimet për një shekull shtet të pavarur, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta nga qyteti i Pogradecit është shprehur se LSI nuk do të lodhet së insistuari për bashkëpunimin e gjithë forcave politike shqiptare, për të përmbushur detyrimet për t’iu përgjigjur kërkesave për të qenë anëtarë të BE-së.

“Është kënaqësi akoma dhe më e madhe për të pasur këtu kaq shumë të reja dhe të rinj, të cilët i fillojnë 100 vitet e ardhshme me një Shqipëri jo vetëm të lirë e të pavarur, por me një Shqipëri anëtare të NATO-s, me një Shqipëri, qytetarët e së cilës udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen të Bashkimit Europian, në një Shqipëri, e cila i ka të gjitha mundësitë për të qenë jo vetëm një vend i mrekullueshëm nga natyra, por edhe një vend shumë i zhvilluar duke u bazuar tek resurset tona natyrore e mbi të gjitha, në radhë të parë, te resurset tona njerëzore”- është shprehur kreu i LSI-së.

Më tej ai ka shtuar se pavarësisht nga vonesat dhe pengesat e politikës së papërgjegjshme, LSI do insistojë për bashkëpunimin e gjithë forcave politike shqiptare, për t’iu përgjigjur kërkesave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë dhe jo axhendave të tyre të ngushta, partiake apo elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›