E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsumi, familjet i shtyjnë shpenzimet për një kohë më të mirë

Ardian Fullani, guvernatori i Bankes se Shqiperise

Emirjon Senja 

Konsumi i ulët është një ndër problemet kryesore që por përballet ekonomia e vendit në këto muaj. Për të paktën gjashtë muaj, qytetarët kanë ulur në minimum shpenzimet e tyre duke detyruar Bankën e Shqipërisë që të ndërhyjë në mënyrë të vazhdueshme për të ulur normën bazë të interesit me qëllim stimulimin e aktivitetit ekonomik. Por, pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, qytetarët vazhdojnë të jenë të prirur ndaj shpenzimeve të pakta, çka bën që BSH të bëjë disa parashikime jo shumë optimiste për sa i përket treguesve të inflacionit përgjatë gjithë vitit të ardhshëm. Specialistët e Bankës së Shqipërisë për Politikat Monetare, shpjegojnë se konsumi do të jetë në tregues të moderuar gjatë gjithë këtij viti. Një gjë e tillë pritet të pasqyrohet edhe në treguesit e inflacionit, për të cilin Banka e Shqipërisë parashikon se do variojë nga 0.7 deri në 2.8 për qind gjatë 2012-ës me një propabilitet 90 për qind.

Kjo shifër është në përgjithësi poshtë angazhimit të Bankës Qendrore për ta mbajtur inflacionin në një mesatare 3 për qind, plus/minus 1 për qind, gjë e cila do ti mundësonte ekonomisë që të zhvillohej në kushte optimale. Konsumi privat vazhdon të reflektojë një sjellje hezituese të konsumatorëve në kryerjen e shpenzimeve dhe orientimin e rritur të tyre drejt kursimit. Ecuria e konsumit në vend nuk ka reflektuar plotësisht rritjen e të ardhurave të disponueshme, të gjeneruar nga rritja e pagës dhe e punësimit, apo zgjerimin e burimeve të financimit, në formën e rritjes së kredisë konsumatore gjatë vitit 2011, – do të shprehej Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani pak javë më parë në një konferencë për shtyp.

Nga të dhënat mësohet se familjet janë duke shpenzuar aktualisht për të plotësuar nevojat e tyre imediate, ndërsa kanë shtyre për një periudhë tjetër më të mirë, kryerjen e blerjeve me shuma të mëdha. Për më tepër, në publikimin e fundit të BSH-së mbi Treguesit e Besimit të Konsumatorit, raportohej se një pjesë e konsumatorëve merrnin borxh për të mbuluar shpenzimet e tyre mujore, ndërsa shpreheshin pesimistë për situatën ekonomike të tyre në periudhat e ardhshme. Ndonëse pjesa më e madhe e konsumatorëve mbulojnë me të ardhura shpenzimet e tyre, numri i atyre që marrin hua për ti mbuluar ato është rritur në krahasim me tremujorin e kaluar. Konsumatorët shprehen pesimistë mbi situatën e ardhshme ekonomike dhe financiare. Balancat e pritjeve për gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend dhe e pritjeve mbi situatën financiare të familjeve në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie me 4.0 dhe 4.7 pikë përqindjeje në tremujorin e parë të vitit 2012, – paraqiste BSH. Kësaj i shtohet edhe fakti se familjet nuk prisnin të kursenin gjatë fillimit të këtij viti.

Konsumi nuk po stimulohet as nga kreditimi pavarësisht uljes së normës së interesit për lekun në 4.25 për qind, nivel i cili është më i ulti historik për monedhën vendase. Shoqata e Bankave raporton se gjatë tre mujorit të parë të këtij viti, individët morën rreth 2 milionë dollarë më pak kredi nga bankat krahasuar me tre mujorin e parë të vitit të shkuar.

Kursimi, rriten depozitat në banka

Një tjetër tregues i tendencës për të kursyer të individëve janë depozitat. Banka e Shqipërisë raporton se depozitat në muajin shkurt ishin rreth 5 miliardë lekë më të larta krahasuar me fundin e vitit 2011 duke pasqyruar kështu rritjen e vazhdueshme të tyre. Krahasuar me një vit më parë, depozitat në total ishin 11.1 % më të larta. Depozitat në lekë në muajin shkurt u rritën me 3.4 miliardë lekë, krahasuar më muajin janar, duke mbajtur të pandryshuar normën vjetore të rritjes së tyre në 9.2%, – shpjegon BSH.

 
Nuk realizohen të ardhurat, Berisha flet për ndryshime në buxhet

Buxheti i shtetit pritet të rishikohet sërish në qershor, ashtu siç ishte bërë praktikë të paktën gjatë këtyre katër viteve të fundit. Gjatë këtyre ditëve ishin shtuar zërat për ndërmarrjen e ndryshimeve të tilla, ndërsa Kryeministri Berisha i përforcoi ato dje gjatë një takimi me ministrat për të parashtruar programin e dixhitalizimit. Gjatë fjalës së tij, ai i kërkoi ministrave që të përgatisnin ndryshimet që mendonin në buxhetet e ministrive të tyre duke i bërë gati për rishikimin e buxhetit të shtetit në qershor.

Në fakt, referuar treguesve fiskal aktual, rishikimi i buxhetit të këtij viti ishte bërë një domosdoshmëri, pasi të ardhurat nuk po realizohen në nivelet e pritshme duke pasqyruar performancën e dobët të ekonomisë. Kështu përshembull, qeveria mblodhi të ardhura rreth 37 milionë dollarë më pak se parashikimet gjatë tre mujorit të parë të këtij viti. Realizimi i tyre ishte rreth 1.2 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Performancën më të keqe e kishin të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin me një mosrealizim plani prej rreth 13 milionë dollarë gjatë tre mujorit. Mos realizimi i tatimit mbi fitimin, përpos performancës së keqe të organeve tatimore paraqet edhe situatën e rënduar që po kalojnë bizneset aktualisht. Të ardhurat nga TVSH-ja ndërkohë u rriten me vetëm 200 milionë lekë krahasuar me tre mujorin e parë të vitit 2012, edhe kjo, një tregues i rritjes tejet të moderuar të konsumit gjatë periudhës në fjalë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›