E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta prezanton në Vlorë programin e LSI-së



Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim prezantoi në Vlorë programin e partisë të quajtur “Plani për veprim”. Një nga pikat e planit që kreu i LSI-së prezantoi në Vlorë ishte edhe ai që ka të bëjë me turizmin në këtë zonë. Meta u shpreh se një nga projektet e planit të kësaj force politike është bërja e një masterplani për shndërrimin gadishullit të Karaburunit në një nga perlat e Mesdheut. “Ne do të fillojmë dhe do të realizojmë rrugën nga Pashalimani deri në Palasë, për ta kthyer gadishullin e Karaburunit më të bukurin dhe më tërheqësin në Europë”, - u shpreh kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ai tha gjithashtu se LSI-ja synon hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës. Meta tha se dy janë objektivat e LSI-së për punësimin. Së pari, për hapjen e 100 mijë vendeve të qëndrueshme të punës gjatë 4 viteve të ardhshme dhe së dyti, një program i veçantë për të ndihmuar çdo familje që jeton në varfëri kritike dhe që nuk ka asnjë të punësuar. “Përmes programit të punësimit jetik për një periudhë afatshkurtër t’i garantohet një punësim, i cili njëkohësisht do të japë mundësi për t’u kualifikuar për të hyrë në tregun e qëndrueshëm të punës në perspektivë”, - u shpreh Meta. Kryetari i LSI-së premtoi se në rast se partia e tij do të fitojë zgjedhjet, kostoja e jetesës dhe lehtësimi i saj do të jenë prioritet themelore të LSI-së. Ai deklaroi se nëse fiton zgjedhjet do të përjashtojë nga tatimi mbi të ardhurat të gjitha të ardhurat dhe pagat deri në 250 mijë lekë në muaj nga 100 mijë që është sot. Ndërsa për diferencën apo për taksën tjetër nga 250 mijë deri në 500 mijë lekë në muaj, tatim-fitimi, sipas Metës, do të paguhet për diferencën mbi 250 mijë lekë. “Njëkohësisht, një masë tjetër lehtësuese e ndihmës ekonomike do të jetë edhe çmimi i subvencionuar i energjisë për konsumatorët familjarë, deri në 300 kilovatë-orë në muaj e njëkohësisht përgjysmimi i TVSH-së për faturat e energjisë për konsumatorët familjarë nga 20 për qind në 10 për qind”, - deklaroi Meta.

18 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›