Meta vlerëson ambasadorin Arvizu: Është i balancuar, SHBA nuk do bëjnë sehir
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një intervistë për Albanian Screen, thotë se fakti që debatin se kush do jetë Kryeministër i të majtës e ka hapur e djathta, tregon se ata janë të bindur se Berisha nuk do jetë më Kryeministër pas 23 qershorit.
Ndërsa se kush do të jetë nga e majta, kjo do të jetë në respekt me votën e qytetarëve shqiptarë dhe është një çështje që Kushtetuta e zgjidh në mënyrë të qartë, tha Meta.
I pyetur nëse KQZ po lihet pa plotësuar për të pasur një alibi për humbjen e zgjedhjeve, Meta thotë: Nuk ekziston asnjë dëshirë për të krijuar apo për të pasur një alibi sepse fitorja e opozitës është e padiskutueshme. Nuk ka përse opozita të përpiqet të harxhojë energji për të justifikuar për atë që nuk mund të ndodhë, humbja e saj. Por natyrisht që nuk është përgjegjësi e opozitës që të restaurojë një KQZ të cilën e gjymtoi z. Berisha dhe nuk ekziston një reflektim i tij për atë që bëri.
Ndërsa deklaratën e Kastriot Islami se Rama nuk e plotëson KQZ-në sepse ka frikë se Meta certifikon zgjedhjet, Meta e komenton kështu: Mendoj se është një diversion jo shumë i kualifikuar, duke pasur një konsideratë begraundin shkencor të z. Islami. Aq më tepër që edhe ai e di po kaq mirë sa edhe unë që diferenca është kaq e madhe sa nuk ekziston asnjë merak dhe shqetësim i opozitës se si do të justifikohet nesër një rezultat tjetër.
I pyetur nëse ai synon karrigen e kreut të Partisë Socialiste, Meta thotë: Absolutisht nuk ekziston ky synim sepse unë kam themeluar një forcë politike si Lëvizja Socialiste për Integrim dhe shikoj kontributin tim në të ardhmen në funksion të kësaj force.
Kryetari i LSI thotë se ka pasur një raport shumë pozitiv dhe bashkëpunues me Lulzim Bashën. Por, natyrisht që pas 1 prillit secili vazhdon në pozicionin e tij. Megjithatë, unë mund them se në politikë bindjet janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Ndërsa në raportet shoqërore, njerëzore, etika, respekti duhet të mbeten të pacenuara nga politika. Kjo varet edhe nga niveli, edhe nga shkalla e emancipimit të gjithsecilit.
Sipas Metës, sondazhet tregojnë se LSI do të jetë një parti me tregues 2 shifror në zgjedhjet e 23 qershorit.
Meta thotë se nuk është e vërtetë se Berisha ka shumë përkrahje në Kosovë.
Mendoj se është më shumë një përpjekje e vetë Berishës për të paraqitur një përkrahje të jashtëzakonshme që ekziston në Kosovë për të. Mendoj se përkrahja është shumë e balancuar dhe se Kosova në të gjitha kohërat tek kryeministri i Shqipërisë, te Presidenti, nuk shikon thjeshtë individin por shikon vetë Shqipërinë dhe rolin e saj. Kështu që përpjekjet për të personalizuar raportet janë të parëndësishme dhe kalimtare dhe se nuk duhet të harrojmë se ishte qeveria socialiste që mbajti peshën kryesore gjatë krizës së Kosovës, gjatë luftës së Kosovës, gjatë përballimit të jashtëzakonshëm të menaxhimit të një krize humanitare të përmasave të jashtëzakonshme, theksoi Meta.
Kryetari i LSI ka komentuar edhe debatet në lidhje me qëndrimin e ambasadorit amerikan në Shqipëri. Meta thotë se ambasadori është i balancuar dhe shton se SHBA nuk do jenë spektatore për këto zgjedhje.
Së pari duhet të kemi parasysh që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kudo qoftë në botë dhe kuptohet edhe në Shqipëri, është përfaqësues i drejtpërdrejtë përveç i Departamentit të Shtetit dhe i shtetit amerikan, në radhë të parë i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra ambasadori ka një rol tepër të rëndësishëm dhe tepër përfaqësues për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për debatet të cilat ne i kemi vënë re, unë dua të bëj një vlerësimin tim për ambasadorin Arvizu, i cili mendoj se në tërësi gjatë këtij aktiviteti tre vjeçar, ka qenë vlerësoj i balancuar, dhe vazhdimisht ka shprehur mendime apo qëndrime të ndryshme, që një herë mund të jenë paraqitur nga njëra palë si në përkrahje të saj dhe si kritikë ndaj palës tjetër, dhe herës tjetër e kundërta.
Absolutisht që SHBA-të nuk mund të rrinë dhe nuk do të rrinë si spektatorë, pavarësisht se nuk mund të zëvendësojnë rolin dhe vullnetin që duhet të tregojnë qytetarët shqiptarë dhe respektin qytetarët tanë duhet ta tregojnë në radhë të parë për veten e tyre, duke marrë pjesë më këto zgjedhje dhe duke u shprehur për të ardhmen e tyre./ep