E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta:Avancim të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kazakistanit

Zv. Kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, është pritur sot nga Sekretari i Shtetit dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Kazakistanit, z. Kanat Saudbayev.
Biseda mes dy diplomatëve u përqendrua në mundësitë e rritjes dhe institucionalizimit të kontakteve mes dy vendeve, me qëllim thellimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në veçanti në ekonomi, investime dhe turizëm.
Zv.Kryeministri Meta theksoi se ekziston potenciali për t'i avancuar më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kazakistanit, me anë të shkëmbimit të vizitave zyrtare në nivelet më të larta, nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe në fushën e nxitjes dhe mbrojtjes së investimeve, heqjes së taksimit të dyfishtë, si dhe një protokoll të posaçëm mes ministrive të Punëve të Jashtme.
Në vijim të bisedës, z. Meta e informoi z. Saudbayev rreth zhvillimeve të fundit në Ballkanin Perëndimor dhe realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo e fundit, shtoi z. Meta, ka kontribuar në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit. Në këtë kuadër, Zv. Kryeministri Meta kërkoi mbështetjen e Kazakistanit për aderimin e Kosovës në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kazakistanit i priti me interes propozimet për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe u shpreh i gatshëm për të marrë në konsideratë kërkesën tonë për aderimin e Kosovës në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Të dy ministrat ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit edhe në planin e organizatave ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›