Meta:Jemi të vendosur për grevën

Pasi u bë publike deklarata e konferencës së kryetarëve, deputetet në grevë urie shprehën vendosmërinë për ta vazhduar grevën. Kryetari i LSI-së Ilir Meta në një lidhje telefonike për "Ora News" tha se "Dua t'ju siguroj se ne jemi të vendosur për të rivendosur shenjtërinë e votës së lirë , në mënyrë që të marrë fund njëherë e mirë deformimi dhe injorimi i qytetarëve shqiptarë përmes prekjes së votës, sikurse ka ndodhur tashmë në të kaluarën dhe se prania jonë në sallën e Kuvendit nuk do të pengojë seancën plenare". Ndërkohë mbështetësit e deputetëve të ngujuar, debatuan mbrëmë me policinë në lidhje me vendosjen e një tende. Për të mënjanuar përplasjen fizike, policia u tërhoq. Por gjate paradites policia kishte deklaruar nëpërmjet një zëdhënëseje se kishte bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Tiranë për sekretarin e LSI-së, Petrit Vasili. Sipas policise, këto tubime që zhvillohen pa leje, cënojnë rëndë sigurinë e Parlamentit. Po ashtu, ato nxjerin probleme për ruajtjen dhe sigurimin e lëvizjes së personaliteteve shtetërore.