E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metafora e ‘Çelësit’

Mbi poezinë “Çelësi”, të Ali Podrimjes, e cila përbën një nga krijimet më të bukura kushtuar dramës së madhe që përjetoi populli ynë në fundshekullin e kaluar.

Të pakta janë krijimet artistike tek ne që në nivele të kënaqshme estetike faktojnë tmerrin që kaluan njerëzit e Kosovës në dekadën e fundit të shekullit të kaluar.

Mungesa e trajtimit estetik të kësaj drame të madhe, kësaj udhe biblike të njeriut tonë, kundruar nga prodhimi që kemi, përnjëmend të krijon bindjen se të vdesësh për atdhe të bëjnë më të shëmtuar seç je! Kundruar nga ky aspekt, poezia “Çelësi” e Ali Podrimjes meriton një vëmendje të veçantë. E shkruar në Bremen të Gjermanisë, menjëherë pas luftës, kur ende kullonin plagët e njoma, kjo poezi është në fakt një narracion poetik për vetë autorin, i cili, sikundër në shumicën e krijimeve të tij, identifikon fatin e vetë me atë të kolektivit. Në këtë kuptim kjo poezi është një autobiografi poetike.

Vetë titulli i poezisë dëshmon për preokupimin dhe përkushtimin e autorit për të gjetur dhe për të hapur portën e lirisë. Edhe Julio Cortozar çelësin e ka përdorur si metaforë për të gjetur lirinë brenda një qarku të mbyllur me dilema ekzistencialiste. Mbase kjo poezi e Podrimjes na shpie deri tek fusha e mitologjisë, kur Anteji dëshmonte se ishte i fuqishëm vetëm kur kishte kontakt me tokën, sepse kur ngitej në ajër bëhej i dobët si uji. Kështu reflekton edhe Ali Podrimja, duke dëshmuar se jo vetëm burimin e forcës shpirtërore, por edhe krejt kuptimin e të qenit e sheh në rrënjët e vendlindjes, përkatësisht në vendin ku toka është gjaku i tij që nuk falet - siç do të shprehej vetë Podrimja në vargjet e tij lapidare, të cilat kanë zënë vend edhe nëpër përmendoret e heronjve të kësaj lufte.

Kur dihet se gjysma e popullit tonë kishte përjetuar Udhën e Kryqit, dhunshëm, duke braktisur shtëpitë e tyre, ishte çelësi ai që njerëzit kishin marrë me vete si dëshmi të një shprese të prekshme për kthim të sërishëm. Historia në një mënyrë po përsëriste fatin e nizamëve dhe po na kthente në një frymë baladash kaq të dhembshme.

Nëpërmjet një gjuhe poetike të ngjeshur me shenja poetike estetikisht të disiplinuara, autori arrin të krijojë një hapësirë poetike, brenda së cilës çelësi, si metaforë e lirisë, të funksionojë mrekullueshëm. Poetit i ka humbur çelësi rrugëve të Evropës, duke i rënë nga xhepi i shqyer. Nga rrafshi i thjeshtë narrativ kuptojmë se bëhet fjalë për hartën e grisur të atdheut, nga plasat e së cilës është rrënuar shumëçka. Në këtë kontekst Podrimja do të shprehet me vargjet: “Evropës bredh (çelësi) me atë tingëllimën shqetësuese/ kërkon bravën e thyer, derën e përgjakur/ shtëpinë e rrënuar pa numër e oxhak”.

Por, autori më kot kërkon një derë, një bravë, një shtëpi, që mund ta hap dhe mund t’ia kthejë buzëqeshjen.

“...as mund ta dëgjoj tingëllimën e tij/ dhe zgërdhirjet e një përbindëshi nga Stepa e ftohtë”. Sintagma Stepë e Ftohtë në këtë rast është përdorur si metaforë për shënimin dhe identifikimin e së keqes. Si e tillë, kjo metaforë ngarkohet me konotacione të mjaftueshme për kundrimin e të keqes edhe nga këndi historik e socio-kulturor.

“Nën çatitë e Bremenit shiu rrëke/vërshon nga një sy i shqyer që nuk di/ se ku ia kishin varrosur trupin”. Është pra syri ai që kërkon çelësin për ta hapur portën e shpirtit, ndërsa trupi (shtëpia) nuk është më. Kjo gjendje metafizike shpjegon më së miri dhembjen e madhe të poetit, i cili në një varg do të shprehej se si i tillë - pra si pa trup - nuk kishte hije. E njeriu pa hije është njeri pa dritë, është njeri i mbytur në errësirë.

Duke ndërtuar një gradacion të dhembjes, në vargjet e fundit të poezisë, poeti do të shprehet: “sëpatë e përbindëshit/ kishte prerë pyllin tim/ dhe ai vdiste bashkë me mua/ në kullën e Hajnrich Bellit/ ku grithja vetminë e popullit tim”. Dhe, po të shikohet si ndërtim atmosfere për dhembjen, kjo poezi vërtet na sjellë shumëçka të përafërt me këngët e nizamëve.

Nuk është lehtë të njehsosh dhimbjen individuale me atë kolektive, madje ta bësh një me të. Ali Podrimja e ka arritur këtë, mbase nuk e ka pasur vështirë, sepse një përpjekje të tillë e ka ushtruar dhe provuar që nga libri i tij i parë si gjimnazist, “Hija e Tokës”.

I njohur si krijues i tipit të tkurrjes së narracionit në favor të shenjave poetike, Podrimja ka arritur të ndërtojë një tablo për luftën dhe dimensionin e saj të tmerrshëm në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndaj leximi dhe interpretimi i tillë i vargjeve nuk të krijon ndjenjë të këndshme, por e vërteta është se as vetë poetët nuk kuptojnë deri në fund përmbajtjen e vargjeve të tyre, ndërsa në anën tjetër është në natyrën e lexuesit që fjalët t’i shtrijë semantikisht edhe përtej mundësive të tyre. Edhe Shklovski ka vërejtur se gjuha poetike nuk është vetëm gjuhë e pamjeve, imazheve dhe se fjalët nuk luajnë vetëm rolin e përcjellësit të mendimit, por ato kanë një kuptim në vete.

Vërtet, poezia shqipe është krijuar në shenjë rezistence dhe në shenjë mbijetese të qenies kombëtare, por të pakët janë autorët që kanë arritur të dalin përtej kësaj kornize, ashtu që krijimet e tyre të ngrihen në nivele estetike të pranueshme edhe për të tjerët, përkatësisht të bëhen pasuri për të gjithë, pa dallim gjuhe dhe etnie. Poezia “Çelësi i humbur” e ka arritur këtë nëpërmjet nivelit estetik, madje duke u futur jo vetëm në mesin e poezive më të mira të Podrimjes, por edhe të letrave tona në përgjithësi, të cilat pasqyrojnë dramën e madhe të njeriut tonë nga fundshekulli i kaluar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›