Mos pritni dhurata nga qielli!

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka thënë se Kosova duhet që ngadalë dhe sigurt ta forcojë identitetin e saj në arenën ndërkombëtare dhe kjo jo vetëm në baza bilaterale për njohje, por edhe multilaterale.
“Deri në shtator Kosova duhet ngadalë-ngadalë të marr pjesë dhe ta përforcojë identitetin e vetë jo vetëm në baza bilaterale të njohjeve, por edhe multilaterale. Seminari i sotshëm është thirr për një arsye. Tash e dy muaj është krijuar një grup punues në nivel po ashtu ndërqeveritar, ku marrin pjesë nga Zyra e Kryeministrit, këshilltarë tonë specialë, drejtorë të ndryshëm të sektorëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Më shumë prej jush kemi qenë në kontakt gjatë dy muajve të fundit dhe qëllimi ka qenë që të implementohet marrëveshja e Brukselit, marrëveshja e fusnotës”, ka thënë ai.
Selimi ka thënë se qëllimet e këtyre takimeve ndërministrore janë që lista prej 27 organizatave të ndryshme ndërkombëtare Kosova të ketë qasej në to.
Ai ka shtuar se Kosova do të përfaqësohet ashtu siç është arritur marrëveshja në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, nëse në një takim ndërkombëtar janë prezent të gjithë flamujt e vendeve përfaqësuese, aty do të jetë edhe flamuri i Kosovës, gjë e cila, sipas tij, ka pasur raste që përfaqësuesit serbë e kanë lëshuar takimin për shkak të paraqitjes së simboleve të Kosovës në atë takim.
Selimi tha se ka pasur raste kur Kosova në takime rajonale është paraqitur me emrin e saj dhe me një fusnotë (*), të cilën ai e quajti “fluskë bore”, kurse përfaqësuesit serbë e kanë lëshuar takimin, për shkak se nuk kanë qenë të kënaqur që karshi emrit “Kosova” të jetë e shënuar edhe Rezoluta 1244 si dhe mendimi i GjND-së, i cili e mbështet deklaratën e pavarësisë së Kosovës.
Ai u ka rekomanduar të pranishmëve që në takimet rajonale të paraqiten ashtu siç paraqiten edhe përfaqësuesit e tjerë, por duke i zbatuar marrëveshjet që janë arritur në Bruksel në bisedimet Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, Robert Wilton, Këshilltar politik në ICO, ka thënë në këtë takim se Kosova duhet ta krijojë suksesin e saj e të mos pres dhurata nga qielli, të mos pres që Brukseli e as Beogradi t’i japin diçka.
“Kosova e lirë, Kosova sovrane duhet vetë ta krijojë suksesin e saj me botën. Kosova duhet ta krijojë vetë vendin e saj në botë. Pajtimi në Bruksel është i kotë nëse Kosova nuk e shfrytëzon vetë pajtimin. Kosova duhet t’i zbulojë mundësitë me botën. Kosova duhet ta kërkojë vrimën për vendin. Brukseli është mjaft i lumtur vetëm me pajtimin, me përshtypjen e pajtimit. Brukseli është i kënaqur. Beogradi më duket nuk ju ofron asgjë të lirë. Mos prisni asgjë më prej Beogradit, prej Brukselit. Kosova duhet ta krijojë suksesin e saj vetë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kjo punë nuk varët vetëm me politikanët, me diplomatët e lartë, varët edhe nga zyrtarët e tjerë, nga puna e përditshme që bëhet, varët nga puna e ekspertëve e shumë të tjerë.
Wilton këshilloi se Kosova të mos pres asnjë dhuratë prej qiellit, sepse, në fund të fundit, suksesi varët prej punës së sajj, prej durimit dhe dinamizmit të saj.
Ndryshe, pjesa tjetër e takimit ndërministror është mbajtur me dyer të mbyllura, në të cilin pritet në nxirren rekomandimet lidhur me paraqitjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, pritet të diskutohet edhe për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të sportit, pasi që, lista prej 27 organizatave, e dorëzuar nga ndërmjetësi Kuper, nuk përfshin asnjë organizatë sportive. /kosovapress/