E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metamorfozat e KQZ-së

Gazeta Shqip

Leonard Boduri

Në kujtesën kolektive të shoqërisë sonë, me përjashtimin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1992 dhe referendumin e vitit 1994, të gjitha proceset zgjedhore në vazhdim kanë qenë me të drejtë të kontestueshme. Rezultatet janë certifikuar gjithmonë nga institucioni më i përfolur për varësinë e tij të theksuar nga kasta politike e momentit. Mbrojtja e legjitimitetit të zgjedhjeve të vitit 1996 ishte një mision i pamundur. Manipulimi i zgjedhjeve të përgjithshme u krye me zell të pashembullt nga të djathtët, por vetëm pesë vjet më vonë socialistët ua kthyen reston me lezet. Në vitin 2001, KQZ-ja e udhëhequr nga rilindësi i sotëm i socialistëve z. Celibashi, u kthye në një fabrikë mandatesh me rendiment të lartë, në favor të socialistëve. Më pas, me marrëveshjen e detyruar nga ndërkombëtarët në vitin 2003, midis pozitës dhe opozitës, partitë politike nuk mund të pranonin kurrsesi një KQZ teknike dhe të depolitizuar, por ata projektuan me konsensus të gjerë një institucion gjasme të pavarur, por në realitet tmerrësisht të varur prej tyre. Nga dy kampet politike do të përzgjidheshin ushtarët përkatës juridikë, besnikë të vijës së partisë që do të emëroheshin sipas formulës së re.

Kjo formulë e hartuar në kushte mosbesimi të theksuar rezultoi e qëndrueshme në kohë, por institucioni me demek i pavarur asnjëherë nuk mundi të fitojë besimin e qytetarëve me veprimet apo mosveprimet e tij. Realiteti ka pasqyruar një KQZ të pavarur, herë majtas dhe herë djathtas, sipas përkatësisë mazhoritare të momentit. Vlen për të sjellë edhe njëherë në vëmendje vlerësimin mbi mënyrën dhe shpejtësinë e pabesueshme sesi anëtarët e KQZ-së kanë përjetuar metamorfozat e depolitizimit dhe më pas të politizimit të tyre. Kjo sjellje na shtie në paragjykimin e pamoralshëm në këtë epokë tejet të moralshme të vendit, i cili na shtyn të mendojmë se dhënia më pas e posteve të rëndësishme shtetërore për ish-anëtarët e KQZ-së lidhet me vlerësimin për besnikërinë e lartë dhe shërbimin e çmuar që kanë kryer këta individë për partitë gjatë ushtrimit të funksionit të tyre si të pavarur. Nuk kam domosdoshmërish parasysh vlerësimet konkrete për z.Ristani apo z.Celibashi, por këta pretorianë juridikë, së bashku me kolegët e tyre, kanë bërë të pamundurën për të gjetur sofizma, artifica dhe rrallëherë edhe argumente juridike për të mbrojtur me çdo kusht interesat e partive që i kanë propozuar dhe votëbesuar në Parlament. Natyrshëm pas këtij emërimi anëtarët e KQZ-së asnjëherë nuk janë parë nga publiku si të pavarur, madje kishim harruar fare që nga ana formale ligji i konsideron të tillë pas betimit në Parlament. Në këtë kuadër, askush nuk është habitur apo skandalizuar nga militantizmi i hapur i anëtarëve të KQZ-së, qoftë nga deklaratat e tyre të papërgjegjshme, qoftë nga absurditetet e padëgjuara që justifikojnë qëndrimet e tyre kryekëput politike.

Në debatin e fundit maratonë të kryer në Parlament për shkarkimin e anëtarit të LSI-së, me qëllim zëvendësimin e tij me anëtarin e PR-së, përveç shumë aspekteve të tjera të dënueshme si moralisht ashtu edhe ligjërisht, mund të vëmë re dhe të veçojmë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka konfigurimi i KQZ-së për partitë politike. Kolazhi i pasur me sharje, fyerje dhe kërcënime të shndërruara gati në kanosje na kishte munguar. Por cilat mund të jenë arsyet e angazhimit titanik dhe mbivlerësimit maksimal të një çështjeje të ngritur nga mazhoranca e re kundër një anëtari të pavarur të KQZ-së, që tashmë i takonte opozitës së bashkuar? Çne gjithë ky mllef i ekzagjeruar nga të dyja kampet politike që ka të bëjë thjesht me zëvendësimin e një anëtari të pavarur që i takonte LSI-së me një anëtar tjetër të pavarur që tashmë i takon PR-së? Niveli i hipokrizisë për këtë çështje është i pakonceptueshëm. Sipas argumentimit të opozitës të përdorur për ish-anëtarin e shumëlakuar Muho, anëtari i ri i PR-së, pas betimit në Parlament, është thjesht i pavarur. Metamorfoza e menjëhershme që ndodh me anëtarët e KQZ-së, pas betimit në Parlament, i lan të gjitha mëkatet e mëparshme. Ajo i fshin të gjitha angazhimet e mëparshme dhe ata me siguri që nuk kanë kurrfarë ndjenje detyrimi apo vasaliteti ndaj partive politike që i kanë propozuar për të mbrojtur interesat e tyre në KQZ. A mund të ketë njerëz të arsyeshëm që të besojnë këto përralla? Në të njëjtën logjikë edhe pozita duhej të skandalizohej për diskutimin mbi pavarësinë e një anëtari të pavarur të KQZ-së, por ajo ka gëlltitur hipokrizinë mbizotëruese dhe ka luajtur kartën e balancës së anëtarëve të KQZ-së, duke gjetur me zor një artificë ligjore për parregullsitë e emërimit të anëtarit të pavarur të LSI-së.

Në këtë det hipokrizie mbi pavarësinë false të KQZ-së u përzien si rrallëherë edhe ndërkombëtarët, të cilët mbajnë gjithmonë qëndrime parimore në një mjedis tmerrësisht të manipuluar. Ndikimi i ndryshimit të anëtarit të KQZ-së politikisht na bën të besojmë se ka ndodhur kiameti, por teknikisht nuk ka ndodhur asgjë. Ky ndryshim i sforcuar, i motivuar politikisht nga mazhoranca, e çon vendin në kushte të njëjta përfaqësimi si në zgjedhjet e zhvilluara në vitin 2005, 2009 dhe 2011. KQZ-ja ka një raport 4 me 3 ashtu siç e kanë 50 për qind e KZAZ-ve në favor të pozitës dhe gjysma tjetër në favor të opozitës. Këtu nuk ka asgjë dramatike, por thjesht komike. Kushtet parazgjedhore janë tejet normale, por reagimi ekstremist nga palët politike nuk bën gjë tjetër përveç se vërteton në sytë e opinionit publik varësinë e theksuar politike të anëtarëve të KQZ-së. Opozita e indinjuar i ka pasur të gjitha mundësitë të kërkonte zgjidhje të drejtë dhe afatgjatë për administrimin e zgjedhjeve, por nuk u kujtua aspak të impononte kushte mbi depolitizimin e KQZ-së apo numërimin elektronik të votave. Nga ana tjetër, ajo duke u mbështetur ekskluzivisht mbi përfitimin personal i dha një goditje tjetër sistemit zgjedhor me ndryshimin e sistemit në një sistem zgjedhor proporcional rajonal, si dhe forcoi frymën despotike në administrimin e demokracisë së brendshme së partive politike, duke e lënë hartimin e listave të mbyllura të kandidatëve në dorën e kryetarëve të partive. Konsensusi i dy kampeve që janë shquar për frymën destruktive dëshmoi edhe njëherë se numërimi politik i votave në këtë vend është 1000 herë më i rëndësishëm se vetë procesi i votimit nga qytetarët.

Në të vërtetë, në gjithë këtë maskaradë nuk ka gjë më shqetësuese se qëndrimi i turpshëm dhe grotesk i partive politike. Shoqëria shqiptare nuk ka nevojë të dëgjojë dënglat dhe të vuajë tensionimin e stisur nga kasta politike. Do të ishte në përfitim të të gjithë shqiptarëve që procesi i administrimit të zgjedhjeve të ketë një zgjidhje përfundimtare shteruese, në mënyrë që ky institucion të jetë realisht i pavarur, për të ruajtur rregullat bazë të funksionimit të demokracisë dhe për të shprehur vetëm vullnetin e qytetarëve, mirëpo ky akt vështirë se mund të kryhet nga palët politike që kanë konflikt interesi të hapur me procesin e numërimit të votave. Mbase mënyra e vetme për të shpëtuar nga despotizmi i kastës politike do të ishte imponimi i vullnetit të shumicës së shoqërisë me anë mjeteve të drejtpërdrejta të ushtrimit të vullnetit, siç mund të jenë referendumet popullore…

Metamorfozat e KQZ-së burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›