SHBA – Hidhet poshtë çështja kundër Trump në aferën e dokumenteve sekrete qeveritare

MIAMI, 15 korrik /ATSH-AFP/ – Gjykatësja në gjyqin e Donald Trump për mbajtjen e dokumenteve sekrete, pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë anuloi sot të gjithë procedurën duke konsideruar se emërimi i prokurorit special, Jack Smith ishte i paligjshëm.
Në këtë vendim që përfaqëson një fitore të madhe për ish-presidentin, gjyqtarja Aileen Cannon pranoi një kërkesë nga avokatët e tij dhe anuloi procedurën e nisur në Florida.
Kandidati republikan për president në nëntor, i cili do të inaugurohet zyrtarisht në konventën e partisë që fillon të hënën, u padit së bashku me dy nga asistentët e tij personalë për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara në rezidencën e tij private Mar-a-Lago, në Florida.
Ai akuzohet se ka kompromentuar sigurinë kombëtare duke i mbajtur këto dokumente, duke përfshirë plane ushtarake ose informacione për armët bërthamore, pas përfundimit të presidencës së tij, në vend që t’i dorëzonte ato në Arkivin Kombëtar siç kërkohet nga ligji.
Një ligj tjetër, për spiunazhin, ndalon mbajtjen e sekreteve shtetërore në vende të paautorizuara dhe të pasigurta.
Ai akuzohet gjithashtu se ka tentuar të shkatërrojë provat në këtë rast.
Akuzat më të rënda dënohen me 10 vjet burg./a.jor.