Metereologët: Temperatura të ulta edhe gjatë kësaj jave

Temperaturat e ulta do të vijojnë të mbizotërojnë edhe gjatë kësaj jave në gjithë vendin të shoqëruara tashmë jo më nga reshjet e dëborës por nga ngricat. Ajo që u duk sikur ishte një fundjavë e ngrohtë do të kthehet sërish në një mot të vranët i shoqëruar nga reshjet e shiut.
Sipas Meteoalb situata do të vijojë problematike në veri-lindje ku vendin e borës do ta zënë ngricat. Temperaturat e ulta do të shkojnë deri në -11 gradë në zonën veri-lindje dhe -7 deri -8 në Jug-lindje. Sërisht gadishulli i Ballkanit mbetet problem edhe këtë javë. Sidomos në Kosovë , Maqedoni, Serbi temperaturat do të shkojnë deri në -20 gradë.
Por në këtë mot me temperatua të ulëta ajo që mbetet një problem për shumicën e familjeve shqiptare është alternativa e ngrohjes. Edhe pse është më kushtueshme energjia elektrike vijon të mbetet alternativa më e përzgjedhur, në kushtet kur alternativat e tjera pothuajse nuk ekzistojnë.
“Mjetet që përdoren më shumë janë energjia elektrike, kur ka, soba me dru dhe alternativa më e shumtë është ngrohja me batanije” thekson njëri nga qytetarët. Mesa duket shqiptarët do të duhet të presin muajin e tretë, për të parë një rreze dielli.