E Diel, 1 Nëntor 2026

Metrologjia fsheh mashtruesit, prokuroria nis hetimet

Vjedhja e karburantit, abuzuesit rrezikojnë deri 20 vite burg

 girl-filling-car-wEdhe pse prej një jave Drejtorisë së Metrologjisë i është bërë një kërkesë nga Prokuroria për të referuar në organin e akuzës të gjitha subjektet që kanë abuzuar me çmimin e karburanteve, sërish institucioni i Metrologjisë, i ka fshehur mashtruesit duke u vënë kështu në shënjestër të organit të akuzës. Prokuroria e Përgjithshme ka urdhëruar ditën e djeshme task-forcën e kryeqytetit të nisë hetimet për mashtrimet e kompanive private që tregtojnë karburant me pakicë, ndërsa edhe vetë drejtoria e Metrologjisë mund të hetohet për fshehje e moskallëzim krimi. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, sipas të cilëve, është kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, raporti i inspektimit ku janë konstatuar shkeljet nga subjektet private. Referuar të dhënave të prokurorisë, nuk dihen arsyet pse drejtoria e Metrologjisë nuk ka dorëzuar këtë raport, edhe pse ka konstatuar mashtrimin e kryer nga 14 subjekte private, me 93 makineri që vjedhin konsumatorët gjatë tregtimit të karburanteve. Sipas ligjit, çdo subjekt që ka abuzuar me çmimin e karburanteve rrezikon gjobë, ose të paktën 2o vite burg.

Hetimet

Për prokurorinë, pritet marrja e kopjes së këtij materiali dhe nisja e hetimeve ndaj subjekteve të konstatuara me shkelje, për akuzën e vjedhjes, mashtrimit dhe evazionit fiskal. Ka qenë vetë Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë që ka denoncuar publikisht abuzimet e konstatuar, por pa dhënë emrat konkretë të kompanive abuzuese. Drejtoresha e Përgjithshme e Metrologjisë Kozeta Mesiti ka deklaruar ditën e djeshme për mediat se ligji për inspektimin në Republikën e Shqipërisë nuk lejon publikimin e të dhënave që lidhen me veprimtarinë tregtare të subjekteve. “Informimi sipas parimit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, bëhet në bazë dhe brenda kufijve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave që lidhen me veprimtarinë tregtare apo profesionale të subjektit të inspektimit apo personave të tjerë.

Akti normativ

Drejtoresha Mesiti theksoi ndër të tjera se në interpretim të kësaj pike, drejtoria që ajo drejton është e detyruar të mbrojë interesat e konsumatorit, po kështu edhe të mbrojë interesat e biznesit. Mesiti thotë se Drejtoria e Metrologjisë ka hartuar Aktin Normativ, i cili qartëson pozicionin e kësaj Drejtorie për publikimin e këtyre subjekteve dhe është e gatshme ta zbatojë atë në momentit që do të miratohet. “Ne jemi të hapur të publikojmë të gjithë emrat, të cilët kanë probleme, por natyrisht në mbështetje edhe të plotësimit të këtij Akti Normativ që është shumë i nevojshëm. Do t’i publikojmë duke nxjerrë të dhëna tregtare që kanë të bëjnë me subjektet”, theksoi Mesiti ndër të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›