E Diel, 1 Nëntor 2026

Shiste nga dy herë apartamentet, eksploziv me fitil biznesmenit

foto.phpNjë tjetër atentat i rëndë ka ndodhur mëngjesin e së Mërkurës në zonën e Siri Kodrës ku një automjet ka shpërthyer në flakë si pasojë e një sasie eksplozivi të vendosur në pjesën e mbrapse të makinës. Për fat të mirë nga atentati nuk ka pasur të plagosur dhe mrekullisht i ka shpëtuar hakmarrjes biznesmeni i ndërtimit Armando Ceka, i cili sapo ishte futur në automjetin e tij. Sipas të dhënave nga uniformat blu, shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa ka qenë aq i fuqishëm saqë ka shkatërruar edhe një automjet tjetër të parkuar aty dhe ka dëmtuar xhamat e disa bizneseve. Sipas të dhënave të para nga Policia e Tiranës, mendohet se shpërthimi ka qenë i komanduar më telekomandë, dhe motivet e këtij krimi kanë të bëjnë me faktin se biznesmeni i ndërtimit që kishte ndërtuar disa pallate, në zonën e Medresesë, mashtronte qytetarët pasi shiste nga dy apo tre herë apartamentet.

Mashtrimi

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e komisariatit numër 3 dhe specialistë të drejtorisë së policisë Tiranë. Pista kryesore që kanë uniformat blu është e përqendruar tek mosmarrëveshjet që Armando Ceka ka patur me banorët e pallatit të sapondërtuar shumë afër vendit ku ka ndodhur shpërthimi i automjetit, ndërtesë 8 katëshe që Ceka e ka ndërtuar vetë. Sipas grupit hetimor biznesmeni i ndërtimit ka shitur më shumë se njëherë disa apartamente dhe aktualisht në këtë pallat po ndërtohen edhe dy kate shtesë. Këto dy fakte kanë bërë që policia të fokusohet në këto pista hetimi.

Hetimet

Nga hetimet bëhet me dije se sasia e eksplozivit ka qenë e vogël dhe ka patur synim vetëm trembjen e Cekës. Ndërsa vlen për tu përmendur se edhe ortakut të tij, para një viti i është vënë një sasi eksplozivi në derën e banesës së tij duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Një ndihmë të madhe hetimeve për këtë ngjarje do të japë edhe kamera e sigurisë e cila mund të këtë regjistruar të gjithë dinamikën e ngjarjes,pasi shpërthimi është kryer me fitil, çka tregon se autori ka qenë shumë afër mjetit të Armando Cekës. Ndërkohë po merren në pyetje të gjithë banorët që kanë qenë klientë të biznesmenit Ceka, të cilët paraprakisht kanë deklaruar në vendin e ngjarjes se Ceka hyrjet e tyre kishin rezultuar me nga dy ose tre pronarë. Atentatet mafioze ndaj biznesmenëve të ndërtimit po bëhen të përditshme tashmë. Pas vrasjes së dy biznesmenëve dy ditë më parë në Durrës dhe Bulqizë një tjetër biznesmeni i rrezikohet jeta këtë radhë në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›