E Diel, 1 Nëntor 2026

Metrologjia nuk pranon të publikojë emrat e kompanive që abuzojnë me karburantet

metroNjë ditë pasi Ministria e Ekonomisë ka kërkuar zyrtarisht publikimin e emrave të kompanive që abuzojnë me furnizimin me karburant, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë e ka refuzuar këtë gjë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Metrologjisë, Kozeta Mesiti, thotë se ligji për inspektimin në Republikën e Shqipërisë nuk lejon publikimin e të dhënave që lidhen me veprimtarinë tregtare të subjekteve.

Informimi sipas parimit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, bëhet në bazë dhe brenda kufijve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave që lidhen me veprimtarinë tregtare apo profesionale të subjektit të inspektimit apo personave të tjerë. Në interpretim të kësaj pike, ne pengohemi të publikojmë, për faktin sepse jemi të detyruar të mbrojmë interesat e konsumatorit, po kështu edhe të mbrojmë interesat e biznesit, thotë Mesiti.

Sipas saj, Drejtoria e Metrologjisë ka hartuar Aktin Normativ, i cili qartëson pozicionin e kësaj Drejtorie për publikimin e këtyre subjekteve dhe është e gatshme ta zbatojë atë në momentit që do të miratohet.

Ne jemi të hapur të publikojmë të gjithë emrat, të cilët kanë probleme, por natyrisht në mbështetje edhe të plotësimit të këtij Akti Normativ që është shumë i nevojshëm. Do t’i publikojmë duke nxjerrë të dhëna tregtare që kanë të bëjnë me subjektet, theksoi Mesiti.

Sakaq, Mesiti shprehet se 14 subjektet që abuzojnë me sasinë e karburantit nuk janë kallëzuar në prokurori, pasi ato klasifikohen si kundravajtje administrative.

Të gjitha rastet ne i kemi cilësuar si kundravajtje administrative dhe nuk shikojmë elemente të veprës penale. Ne padisim kur konstatojmë që ka vepër penale. Në këtë moment ne kemi të bëjmë me vetëm me kundravajtje administrative, tha Mesiti.

Prokuroria ka kërkuar nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, të bëjë një kallëzim penal për abuzimet e këtyre kompanive. Duke qenë se kjo gjë nuk ka ndodhur, prokuroria pritet që do të nise hetimet vetë për abuzimet e kompanive me karburantet./b.l

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›