Protesta në Shkup, Ademi: Policia dhunoi dhe mori peng studentin nga Tirana

TIRANË, 18 maj/ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, deklaroi sot se “ajo që po ndodh në Maqedoninë e Veriut është shkërmoqje, masakrim dhe shfuqizim total i Marrëveshjes paqësore të Ohrit”.
Në një intervistë televizive për një media në Shqipëri, Ademi tha se “prej dy vitesh në mënyrë aktive studentët shqiptarë e kërkojnë këtë të drejtë ligjore dhe këtu ka patur një kakofoni të qeverisë. Ata thoshin nuk kanë të drejtë ligjore studentët, dilnin të nesërmen dhe thoshin që studentët kanë të drejtë ligjore. Shikoni sot ministrin e Drejtësisë, se çfarë ka deklaruar, edhe pas atij takimi. Ai i ka nxjerrë zbuluar, ka thënë “asnjëherë nuk do t’i lejoj me këtë Kushtetutë dhe me këtë kornizë ligjore zbatimin e gjuhës shqipe”, gjë që nuk ka të drejtë”.
“Institucioni shtetëror, i quajtur inspektorat për zbatimin e gjuhëve, ka konstatuar që ky ministër po e shkel ligjin me të dyja këmbët. Bëjnë sikur nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë, bëhen të shurdhën ndaj kërkesave të studentëve. Nuk është provimi i jurisprudencës në pyetje. Studentët sot nuk po kërkojnë vetëm provimin e jurisprudencës, ajo çështje ju takon me ligj, por ata janë çuar në këmbë edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilën ata e cilësojnë si gjykatë politike të Maqedonisë së Veriu”, nënvizoi Ademi.
Sa u takon studentëve të parë që janë ndaluar, Ademi tha se “studentët e Shqipërisë do ua thonë vetë qëndrimin e tyre, e kanë tërhequr zvarrë njërin prej tyre. Janë marrë peng nga policia vetëm e vetëm, që të mos arrijnë në destinacionin e duhur”.
/k.s/a.f/r.e/