E Diel, 1 Nëntor 2026

Michelin Guide përzgjedh 20 hotele në Shqipëri, nga Tirana në rivierën shqiptare

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Shqipëria po fiton një vend të merituar në hartën ndërkombëtare të turizmit, me 20 struktura akomoduese të përfshira në përzgjedhjen e guidës “Michelin”, një prej emrave të njohur ndërkombëtarisht në fushën e udhëtimeve dhe gastronomisë.

Sipas listës zyrtare të publikuar nga “Michelin Guide”, hotelet e përzgjedhura shtrihen në disa prej destinacioneve kryesore të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Himarën, Beratin, Gjirokastrën, Korçën dhe Sarandën.

Përzgjedhja përfshin struktura të ndryshme akomoduese, nga hotelet urbane dhe ato luksoze te hotelet boutique dhe resortet bregdetare, duke pasqyruar larminë e ofertës turistike shqiptare.

Përfshirja në guidën “Michelin” përbën një vlerësim për cilësinë e strukturave akomoduese shqiptare dhe kontribuon në promovimin e turizmit të vendit në arenën ndërkombëtare, duke tërhequr interesin e udhëtarëve për destinacionet shqiptare.

E njohur për udhërrëfyesit e saj gastronomikë, “Michelin Guide” ka zgjeruar aktivitetin edhe në përzgjedhjen e hoteleve, duke u ofruar udhëtarëve rekomandime për akomodimin dhe përvojat turistike në destinacione të ndryshme.

Lista e plotë e 20 hoteleve shqiptare është publikuar në faqen zyrtare të guidës “Michelin”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›